Manchester Utd ''bie'' në shtëpi, Fulham fiton në ''Old Trafford'' pas 20 vitesh, Broja e shikon ndeshjen nga stoli

Manchester United “bie” në Old Trafford përballë Fulham.

Djajtë e Kuq u mposhtën me shifrat 1-2 ndaj skuadrës së re të Armando Brojës (nuk pati asnjë minutë për lojtarin e kombëtares).

Ishin miqtë ata të cilët shënuan të parët me Bassey në minutën e 65.

Megjithatë, të besuarit e trajnerit Erik ten Hag, reaguan në fund, në minutën e 89 me Harry Maguire.

Mbrojtësi shtyu topin në portën e boshatisur pas një goditje të Bruno Fernandez, teksa për Maguire ishte goli i parë pas dy vitesh.

Hera e fundit që kishte shënuar ishte më date 20 shkurt të vitit 2022 ndaj Leeds United.

Por, surprizat nuk kishin fund në Old Trafford me Fulham që realizoi golin e dytë në minutën e 97.

Kundërsulm perfekt  miqve me Adama Traore që ftoi në aksion Iwobi, me këtë të fundit që la të palëvizur portierin Onana.

Përfundimisht, 2-1 për Fulham që u rikthye të fitonte në Old Trafford pas 20 vitesh.

Kështu, mori fund ecuria prej katër fitoresh radhazi e Manchester United që tashmë mbetet në kuotën e 44 pikëve në vend të gjashtë, ndërsa nga ana tjetër, Fulham renditet në vendin e 12 me 32 pikë.