VIDEO/ Shqiptarët nderojnë Spartën, Indrit Tuci dhe Qazim Laçi protagonistë ndaj Galatasaray-t
Indrit Tuci dhe Qazim Laçi eliminojnë gjigantët turq të Gallatasarajit dhe kualifikojnë Spartën e Pragës në 1 të 16-at e Europa Ligë. Tuci realizoi 1 gol dhe 1 asist, ndërsa Laçi 1 asist në fitoren 4-1 të skuadrës çeke.
Mbrëmje e magjishme për Indrit Tucin dhe Qazim Laçin me Spartën e Pragës, në Europa League.
Dy futbollistët shqiptarë i dhanë kualifikimin skuadrës së tyre, kundër gjigantëve turq të Galatasaray-t, në sfidën e kthimit të play-off, për fazën e 1/16-ve të Ligës së Evropës.
Tuci e Laçi kontribuuan në fitoren 4-1 të vendasve, teksa ishin protagonist në 3 prej golave të shënuara nga Sparta.
I hedhur në fushën e lojës, në minutën e 66-të, kur ndeshja ishte mbërthyer në shifrat 1-1, sulmuesi lezhjan e dërgoi topin në rrjetë në të 74-ën, duke i dhënë avantazhin të tijve.
Ndërkohë, në minutën e 80-të, 23-vjeçari dhuroi asistin për golin e 3-të, të shënuar nga Haraslin.
Sakaq, në minutën e 6-të shtesë, mesfushori Laçi la dhe ai gjurmë në këtë përballje, duke realizuar asist te goli i 4-t.
Kështu, Sparta Prague vijon rrugëtimin në Kupat e Evropës, duke përmbysur humbjen 3-2 në Stamboll, në ndeshjen e parë.
Forma e mirë e Indrit Tucit, është një “mesazh” edhe për trajnerin e Kombëtares Silvinjo, i cili mund ta bëjë pjesë të skuadrës kuqezi, në Kampionatin Evropian.

