Martin: BE të mos lejojë që Izraeli të sulmojë Rafahun

Bashkimi Evropian duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të bërë presion ndaj qeverisë izraelite që të mos sulmojë Rafahun, tha ministri i Jashtëm irlandez, Micheal Martin.

Martin tha se “niveli sjelljeve çnjerëzore që po ndodh tani brenda Gazës” ka tronditur botën, duke iu referuar ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit për të mposhtur Hamasin, në përgjigje të sulmit terrorist të 7 tetorit.

Qeveria izraelite është duke u përgatitur për të nisur një ofensivë tokësore në shkallë të plotë në Rafah, qyteti më jugor në Gaza pranë kufirit me Egjiptin, pavarësisht frikës ndërkombëtare se kjo do të çojë në viktima masive civile.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Xavier Bettel, tha se ai e ka paralajmëruar Izraelin se vendi rrezikon të humbasë “mbështetjen e fundit që ka në botë” nëse ata sulmojnë.

Martin i kërkoi Hamasit të lirojë pengjet izraelitë të marrë në sulmin e 7 tetorit dhe të dorëzojë armët.

Ai bëri thirrje gjithashtu për një armëpushim humanitar në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.

Ministri i Jashtëm irlandez bëri thirrje gjithashtu për sanksione ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor.

Sidoqoftë, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell pranoi pas takimit në një konferencë për shtyp se “ne nuk kemi asnjë fuqi për të ndaluar” Izraelin të sulmojë Rafahun dhe se blloku ishte i kufizuar në mjetet politike dhe diplomatike.