Vritet një tjetër kundërshtar i Putin, Rusia në gjueti të “armiqve”
Rusia duket se është vënë në ndjekje të atyre që i konsideron armiq. Një grua 33-vjeçare me shtetësi të dyfishtë, ruso-amerikane, që banon në Los Angeles, është arrestuar në Ekaterinburg. Kundër saj rëndon akuza e tradhtisë së lartë.
Gruaja akuzohet se ka mbledhur fonde për forcat e armatosura të Ukrainës. Këtë e raporton shërbimi sekret rus, FSB, që citohet nga mediat vendase.
Sipas autoriteteve të Moskës, “nga shkurti i vitit 2022, gruaja në fjalë ka mbledhur fonde në mënyrë proaktive në interes të një prej organizatave ukrainase, të cilat më pas u përdorën për të blerë sende mjekësore taktike, pajisje, armë dhe municione për Forcat e Armatosura të Ukrainës”.
Për më tepër, në Shtetet e Bashkuara ajo ka marrë pjesë vazhdimisht në demonstrata publike në mbështetje të Kievit, lexohet në çështjen e ngritur nga autoritetet ruse. Ndërkohë, shërbime sekrete ruse duket se janë operativ në Europë.
“Maksim Kuzminov ka vdekur, kjo është gjithçka që mund të them”, konfirmon Andriy Yusov, zëdhënës i inteligjencës ushtarake ukrainase. Piloti rus që dezertoi ushtrinë e Putinit u vra me një breshëri të shtënash në një parkim automjetesh në provincën spanjolle të Alicante.