Balla: Policia e Shtetit po kryen detyrat e veta për ta mbrojtur mjedisin

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh sot në një reagim në rrjetet sociale se, Policia e Shtetit po kryen detyrat e veta për ta mbrojtur mjedisin.

Balla ndau një video nga Llogoraja ku, Policia e Vlorës procedoi tre administratorë restorantesh pasi kanë ndotur mjedisin, duke hedhur mbeturina, në vendin e quajtur “Qafa e Llogorasë”.

“Hedhja e mbetjeve si në videon më poshtë në Parkun e Llogorasë është një akt barbar kundër mjedisit dhe turizmit”, theksoi Balla.

“Policia e Shtetit ka proceduar penalisht tre persona, administratorë të njësive tregtare të zonës”, shtoi Balla.

Balla kërkoi ndihmën e qytetarëve për denoncimin e këtyre rasteve. “Ju lutem na ndihmoni t’i denoncojmë këto raste dhe t’i tregojmë shkelësve se penalitetet janë të rënda”, theksoi Balla.