Dëbora shkakton rënien e shkëmbit, vdesin 25 persona, dëmtohet një fshat në Afganistan

25 persona kanë humbur jetën dhe 8 të tjerë janë plagosur pas një rënie shkëmbi të shkaktuar nga reshjet e dendura të borës të dielën në provincën Nuristan të Afganistanit verilindor.

Nuristani është një provincë në kufi me Pakistanin dhe pjesa më e madhe e saj është e mbuluar nga pyjet, si dhe nga vargmali Hindu Kush. Raportohet se rënia e shkëmbit ka dëmtuar fshatin Nacre në luginën e Tatinit.

Ortekët ose rrëshqitjet e dheut ndodhin çdo vit në veriun malor të Afganistanit, të cilat rezultojnë edhe më vdekjeprurëse pasi autoritetet nuk kanë pajisjet e nevojshme për të shpëtuar të bllokuarit.

“Për shkak të rënies së shkëmbit, rreth 25 bashkëqytetarë tanë u vranë dhe tetë u plagosën. Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar në terren dhe numri i të vdekurve mund të rritet”, thonë autoritetet.