Kosova, 16 vite e Pavarur! Rrugëtimi i shtet-ndërtimit dhe sfidat ekonomike! “NewBorn”, i dedikohet liberalizimit të vizave

Kosova feston sot 16 vjetori e saj si shtet i Pavarur! Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Qeveria e Kosovës ka përgatitur manifestime shtetërore që do të mbahen gjatë këtij viti me rastin e shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë, 26-vjetorit të Epopesë së lavdishme të UÇK-së dhe 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Logoja e sivjetme për shënimin e ditës së pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt është: “Gjashtëmbëdhjetë Kosovë, ne të dalim zot!”

Sot në Kosovë janë planifikuar disa aktivitete të cilat janë si më poshtë:

Kosova, 16 vite e Pavarur! Rrugëtimi i shtet-ndërtimit dhe sfidat

08:00 – Mbledhje Festive e Qeverisë së Republikës së Kosovës

08:20 Ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës

08:30 – Nderime te Monumenti i të Pagjeturve

08:45 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova 08:50 Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi

09:50 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

11:00 – Nderime te Monumenti “Heroinat”

11:15 – Nderime te Monumenti i Policëve të rënë në detyrë

11:25 – Nderime te pllaka e fëmijëve të vrarë gjatë luftës, Oborri i Kuvendit

12:00 – Seanca Solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës

17:00 – Pritje shtetërore nga Presidentja, Kryeparlamentari dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës 18:00 Koncerti i Pavarësisë, sheshi i Prishtinës

20:15 – Koncert solem i Filharmonisë së Kosovës, Prishtinë.

Pavarësia

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.

Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.

Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK dhe Institucionet Vetëqeverisëse të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.

Kosova, 16 vite e Pavarur! Rrugëtimi i shtet-ndërtimit dhe sfidat

Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe Presidenti i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë, më 17 shkurt të vitit 2008.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij

Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.

Kosova, 16 vite e Pavarur! Rrugëtimi i shtet-ndërtimit dhe sfidat

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 109 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit.

Pas një kërkese nga Rusia, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një sesion urgjent në pasditen e 17 shkurtit. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, lëshoi një deklaratë asnjanëse duke kërkuar nga të gjitha palët “të përmbahen nga çdo veprim i deklaratave që mund të rrezikojnë paqen, nxisin dhunën ose rrezikojnë sigurinë në Kosovë apo në rajon”.

Duke folur në emër të gjashtë vendeve – Belgjika, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – ambasadori belg shprehu keqardhjen “se Këshilli i Sigurimit nuk mund të bjerë dakord për rrugën përpara, por ky bllokim ka qenë shumë i qartë për disa muaj. Ngjarjet e sotme përfaqësojnë përfundimin e një procesi të statusit që ka shteruar të gjitha rrugët në ndjekje të një rezultati të negociuar”

Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE njoftoi se pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, që vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin.

Ekonomia e një shteti të ri

Kosova, 16 vite e Pavarur! Rrugëtimi i shtet-ndërtimit dhe sfidat

Që nga formimi i shtetit, në Kosovë kanë qeverisur pothuajse të gjitha partitë politike në vend. Megjithatë dialogu Kosovë-Serbi dhe zhvillimet politike, kanë lënë nën hije ekonominë e vendit tonë për 16-vjet shtet.

Për këto vite, Kosova nuk ka arritur të krijojë qëndrueshmëri ekonomike si rrjedhojë e dialogut dhe zhvillimeve në veri të vendit.

Përveç kësaj vendi mbetet nën sanksione tash e më shumë se tetë muaj nga Bashkimi Evropian si rrjedhojë e situatës së krijuar në veri dhe mos përmbushjes së kërkesave të BE-së për shtensionimin e situatës në katër komunat veriore.

Sfidë tjetër për shtetin më të ri në Evropë, Kosovën, mbetet edhe zbatimi i Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për përdorimin e vetëm një valute në Kosovë, përkatësisht euros. Kjo rregullore e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti, ka vënë në sprovë marrëdhëniet Kosovë-Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe mekanizma tjerë, e kanë kritikuar tash e sa ditë Qeverinë e Kosovës për mos shtyrje të zbatimit të rregullores që parasheh ndalimin e qarkullimit të dinarit.

Kosova, 16 vite e Pavarur! Rrugëtimi i shtet-ndërtimit dhe sfidat

Ndonëse, qarkullimi i kësaj valute serbe (dinari) është antikushtetues, pasi që në nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme, ndërsa me Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës, po ashtu thuhet se sipas kërkesës, Banka Qendrore do të këmbejë kartëmonedhat dhe monedhat e euros.

Por, mirëqenie për qytetarët dhe siguri më të madhe për bizneset mund të ketë vetëm atëherë kur do të marrë fund dialogu me Serbinë e me një marrëveshje finale, kështu kanë vlerësuar drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës.

“Ajo që kohë pas kohe ka shkaktuar një pasiguri, kanë qenë tensionet politike, kur e them këtë e kam fjalën në veri të vendit. Prandaj, është shumë me rëndësi stabiliteti politik. Edhe çështja e dialogut Kosovë-Serbi, sa më shpejt që të përfundojë është në të mirën e ekonomisë”, ka thënë kryetari i OEK, Lulzim Rafuna.

Komuniteti i biznesit ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës të ketë në prioritet zhvillimin ekonomik dhe njëkohësisht t’u dal në mbështetje bizneseve.

Madje ekonomia e dobët, varfëria dhe mungesa e perspektivës janë ndër arsyet kryesore që po shtyjnë qytetarët e Kosovës ta braktisin vendin. Sipas Institutit GAP, në dhjetë vjetët e fundit nga vendi kanë emigruar 338 mijë qytetarë.

Varfëria në Kosovë po vazhdon të rritet nga viti në vit, kështu duke bërë më të vështirë edhe gjendjen sociale të familjeve në nevojë. Sipas raportit të fundit nga UNDP-ja për vitin 2023, varfëria në Kosovë është rritur në 16 për qind, për çka ka rënie edhe të rritjes ekonomike.

Kosova, 16 vite e Pavarur! Rrugëtimi i shtet-ndërtimit dhe sfidat

Sipas UNDP-së, shumë familje (16 për qind të ekonomive familjare) jetojnë nën nivelin e varfërisë që i bie me vetëm 1.85 euro në ditë.

Sfidë për qytetarët në këto vite ishte edhe rritja e inflacionit në normën dy shifrore. Krahas kësaj rritje të çmimeve për produktet esenciale, ndodhi edhe shtrenjtimi i rrymës mbi 100 për qind nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë brena një viti (2022-2023).

Shteti më i ri në Evropë e më gjerë, Kosova mbetet një vend jo tërheqës për investime të huaja, sidomos nga kompanitë dhe markat e mëdha botërore. Madje sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës, ka edhe rënie të investimeve në vitet e fundit, krahasuar me periudhën e parë të pavarësisë.

Eksportet e mallrave sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë në rënie dhe shifra simbolike, kështu ende është i thellë deficiti tregtar në raport me importin.

Përkundër kritikave nga partitë opozitare për stagnimin e vendit në ekonomi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në forumin ekonomik në Zvicër, kishte përmendur rritjen e eksporteve të Kosovës, me një rritje të zhvillimit ekonomik, ku sipas tij, është bërë edhe rritje e tregut.

“Çdo gjë tregon se do të bëhemi një vendi i orientuar ka eksporti, nuk është e rastësishme që për dy vite e gjysmë janë dyfishuar eksportet, ku në tre vitet e fundit gjithsejtë, vlera e eksporteve të Kosovës, ka arritur në 2.5 miliardë euro. Ndërkaq kjo rritje është më shumë se dyfishi, krahasuar me gjashtë vitet e më parëshme”, kishte thënë Kurti në janar të këtij viti.

Kosova, 16 vite e Pavarur! Rrugëtimi i shtet-ndërtimit dhe sfidat

Kurti ka thënë po ashtu se në qeverisjen e tij ekonomisë së vendit secilin vit i është shtuar mbi 1 miliard euro, për çka tha se kjo rritje padyshim është rezultat i ndërmarrësisë së sektorit privat.

"Konkurrencën dhe bashkëpunimin duam t'i shohim bashkë. I gjithë sektori privat e ka të garantuar aleatin dhe partnerin në mënyrë që ta ndihmojmë njëri tjetrin në këtë drejtim, të prodhojmë e të eksportojmë më shumë, të luftojmë informalitetin më shumë dhe të përforcojmë konkurrencën e vendit tonë. Ne duhet të jemi në këtë dialog edhe mirë të strukturuar në mënyrë që sfidat të definohen saktë, takimet tona mos të jenë biseda që përsëriten, për raportime për rezultatet e arritura. Ekonomisë së vendit i është shtuar mbi 1 miliard secilin vit", ka thënë Kurti.

Ndonëse një arritje e shumë pritur për vendin ndodhi më 1 janar 2014, liberalizimi i vizave për të lëvizur qytetarët lirshëm në zonën Schengen.

Kështu pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka arritur të anëtarësohet gati në të gjitha organizatat financiare ndërkombëtare, në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përveç në Byronë e Kartonit të Gjelbër që mbetet kusht për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Pas mvetësisë, vendi investoi miliarda euro në infrastrukturë rrugore, si dhe për ndërtimin e dy autostradave, atë që lidhë vendin me Shqipërinë “Ibrahim Rugova”, si dhe autostrada tjetër “Arbën Xhaferi” në drejtim të Shkupit.

Ndonëse, vendi ngeci në ndërtimin e hekurudhave dhe në zhvillimin e ndërmarrjeve publike siç janë “Trepça”, “Infraskosi” dhe Telekomi.

Kështu gjatë vitit 2009 Kosova shënoi një rritje ekonomike prej 5 për qind, kurse në vitin 2023 kjo normë ishte 3.5 për qind, të cilën njohës të fushës së ekonomisë e konsiderojnë të natyrshme dhe jo si rezultat të zhvillimit ekonomik.

Shteti më i ri në Evropë e më gjerë, më 2008 Kosova kishte një buxhet prej një miliard e 27 milionë euro, ndërsa një vit pas pavarësisë më 2009, Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin një miliard e 430 milionë euro. Kështu buxheti për vitin 2024 tani ka arrit 3.3 miliardë euro.

“NewBorn”

Kosova, 16 vite e Pavarur! Rrugëtimi i shtet-ndërtimit dhe sfidat

Tradita e ngjyrosjes së momumentit të kryeqytetit “NewBorn” për këtë vit do të përçojë ndodhinë kryesore të vitit 2024, liberalizimin e vizave.

Në shkronjat e monumentit janë të vizatuara simbole të shteteve në të cilat mund të udhëtohet pa viza, teksa qytetarëve u sugjerohet t’i vizitojnë këto vende.

Dizajnerja Nita Qena e cila ishte duke punuar në imazhin e këtij viti, tha se shumë shpejt do të mbarojë.
Për KosovaPress, ajo tha se viti 2024 karakterizohet me liberlizimin e vizave, prandaj edhe tema e ngjyrosjes së NewBorn-it është kjo ngjarje.

“Qëllimi i ilustrimit është si çdo vit ringjyrosja e “NewBorn” me temën e cila e ka karakterizuar vendin. Ndodhitë e Kosovës gjatë këtij viti. 2024 ka qenë karakteristikë edhe një arritje e re e Kosoves ka qenë liberalizimi i vizave.

Prandaj edhe tema e ngjyrosjes se “New Born” është liberalizimi i vizave. Kemi filluar prej pesë ditë pune edhe presim me mbaruar sa më shpejt, sa të na lejon drita”, tha Qena.

Monumenti që simbolizonte lindjen e një shteti të ri u vendos në qendër të Prishtinës më 17 Shkurt 2008, në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. /KosovaPress/