Blinken në Tiranë, Rama: Vizita në një kohë të trazuar, shenjë e rëndësishme e miqësisë

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken, ka falënderuar këtë të fundit për ardhjen në Tiranë, duke thënë se në këtë kohë të trazuar për Europën dhe jo vetëm, vizita e tij është një shenjë e rëndësishme e miqësisë dhe vlerësimit.

Rama gjithashtu u shpreh se Blinken gjeti kohë të ndalonte në Shqipëri pavarësisht agjendës së ngjeshur, ndërsa theksoi se ky është sekretari i 6 amerikan i shteti që viziton vendin tonë.

“Shumë i nderuar sekretar i shtetit, i dashur Toni, është gjithnjë një ditë e shënuar me një rëndësi të veçantë të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, dita kur sekretari i shtetit viziton vendin tonë dhe në llogarinë tonë jeni i gjashti, por këtë herë ne kemi një vlerësim të veçantë për këtë vizitë pasi jemi të vetëdijshëm për kohën shumë të trazuar jo vetëm në kufijtë e Evropës de zona të tjera me strategji.

Rrjedhimisht me ngarkesën e agjendës tuaj dhe gjetët kohë dhe e patë të nevojshme të ndaleshit në Tiranë, për ne është një shenjë e rëndësishme e miqësisë dhe vlerësimi që i bëni kësaj miqësie, këtij partneriteti dhe këtij rajoni”, tha Rama.