Senati Amerikan shkarkon Sekretarin e Sigurisë, Republikanët: Alejandro Mayorkas nuk ka kryer mirë detyrën
Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka votuar shkarkimin e Sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, duke e bërë atë anëtarin e parë të kabinetit që përballet me shkarkimin në gati 150 vjet.
Shumë republikanë e fajësojnë Mayorkas për një fluks të paprecedentë emigrantësh në kufirin SHBA-Meksikë.
Kundërshtarët e akuzojnë se nuk e respektoi betimin për të kryer mirë dhe besnikërisht detyrat e zyrës së tij duke dështuar të bëjë më shumë për të siguruar kufirin.
Dhoma e udhëhequr nga republikanët votoi 214 kundër 213 për masën, pasi përpjekja e parë dështoi javën e kaluar.
Presidenti Joe Biden e quajti të martën votimin një akt flagrant të njëanshmërisë partiake dhe antikushtetues dhe një marifet politik.
“Alejandro Mayorkas ka mbështetur me besnikëri sundimin e ligjit dhe ka demonstruar një përkushtim të thellë ndaj vlerave që e bëjnë kombin tonë të madh” u shpreh ai.
Më shumë se 6.3 milionë emigrantë kanë hyrë ilegalisht në SHBA që nga viti 2021, duke e bërë emigracionin një çështje përçarëse dhe politikisht të diskutueshme përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Çështja është fokusi kryesor i fushatës së Donald Trump për të larguar Presidentin Biden nga detyra.
Diskutimi për shkarkimin e Sekretarit të Sigurisë Kombëtare do të kalojë në Senatin e udhëhequr nga Demokratët më 26 shkurt, ku gjasat janë të mos aprovohet.
Anëtari i fundit i kabinetit që u akuzua ishte Sekretari i Luftës William Belknap në vitin 1876, megjithëse ai dha dorëheqjen pak përpara votimit.


