Putin miraton ligjin e ri: Ata që përhapin informacione të rreme për ushtrinë do tu konfiskohet pasuria

Presidenti rus, Vladimir Putin ditën e sotme ka vënë në fuqi një ligj që synon konfiskimin e parave dhe pasurive të njerëzve të shpallur fajtorë për përhapjen e informacionit të rremë rreth ushtrisë ruse. Pas nisjes së luftës Moska i bëri të paligjshme kritikat të cilat ata i konsiderojnë informacione të rreme për ushtrinë ruse.

Ligji i ri që hyri në fuqi sot u votua në fund të janarit nga Duma e Shtetit, dhoma e ulët e Parlamentit rus dhe në fillim të shkurtit nga Këshilli i Federatës, dhoma e sipërme.

Ndërkohë sot u publikua nga autoritetet ruse dekreti presidencial i nënshkruar nga Putin. Gjatë prezantimit të tij në Duma kryetari i organit, Vychislav Volodin tha se ky ligj kundër elementëve dashakeq do të lejonte dënimin e tradhtarëve që veprojnë kundër vendit të tyre.

Në fakt ligji nuk parashikon domosdoshmërisht konfiskimin e të gjitha pasurive të një personi të dënuar, por konfiskimin e parave dhe fondeve të përdorura ose të destinuara për financimin e aktiviteteve kriminale.

Ligji gjithashtu parashikon që gjyqësori do të jetë në gjendje të heqë të gjitha nderimet shtetërore që u jepen njerëzve të dënuar për informacion të rremë. Akuza për përhapjen e informacionit të rremë për ushtrinë ruse dënohet maksimalisht me 15 vjet burg ndërsa qindra rusë janë dënuar sipas këtij neni të Kodit Penal.