Trajneri i Çekisë pas shortit: Jemi të motivuar, duam 6 pikë ndaj Shqipërisë!

Shqipëria do të sfidojë sërish Republikën Çeke. Njësoj si në eliminatoret e Euro 2024, tashmë edhe në Nations League. Trajneri i ri i kombëtares çeke, Ivan Hasek komentoi shortin e Grupit 1 të Ligës B, aty ku bëjnë pjesë edhe Ukrainë e Gjeorgjia.

“Sigurisht që do të jemi më shumë të motivuar ndaj Shqipërisë, të gjithë ne do të duam të tregojmë se jemi më të mirë se kuqezinjtë. Ata e treguan forcën e tyre, sidomos në ndeshjen në shtëpi.

Është detyra jonë t’ua kthejmë reston dhe të marrim gjashtë pikë këtë radhë. Gjithsesi nuk dua të bëj llogari, ashtu siç nuk kam bërë para shortit. Detyra jonë është e qartë, duhet të japim më të mirën tonë.

Grupi është i ekuilibruar, kështu që nuk ka shumë rëndësi se kush luan me kë. Do të jetë betejë në çdo ndeshje”, deklaroi trajneri i Çekisë.