Dosja e Tritolit/ 40 mijë euro për 203 kallëpë C4, koka i grupit Dritëro Azemi. Në kërkim mikesha e tij Flaka Avdullahi
Sasi prej 203 kallëpe tritoli C4, e kapur në ambientet e një karburanti në zonën e Fushë-Krujës, ishte blerë kundrejt një shume prej 40 mijë euro.
Eksplozivi ishte dërguar nga Prishtina në Fushë-Krujë, për llogari të një agjenti të infiltruar nga policia e Tiranës, i cili kishte mbyllur pazarin me trafikantët e armëve se kundrejt sasisë së municionit dhe armatimit do paguante plot 40 mijë euro.
Ndërsa për këtë linjë trafiku janë shpallur në kërkim dy kosovarët Dritëro Azemi, Flaka Avdullahi dhe u arrestuan nga policia kriminale Rigon Maliqi, Shkëlqim Halabaku dhe Lion Pira, të tre nga Gjilani i Kosovës.
Për tre personat e arrestuar prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg” dhe pritet që këto ditë të ndaluarit të dalin para gjykatës së Tiranës.
Gazetari i “Ora News” Elton Qyno ka mësuar se njeriu që ka porositur sasinë e tritolit është agjenti A. Punonjësi i policisë rezulton se ka rënë në kontakt me kosovarin Dritëro Azemin, i cili është njeriu kryesor që kryente tregtinë e armëve mes dy vendeve.
Sipas materialit të siguruar del se për marrjen e sasisë së eurove Dritëro Azemi, ka dërguar në Shqipëri shokun e tij Rigon Maliqi nga qyteti i Gjilanit në Kosovë.
Ndërkohë për të qenë i sigurt, Dritëro Azemi, i ka vënë dhe një shoqëruese Rigon Maliqit, shtetasen Flaka Rustemi, e cila do e shoqëronte për të marrë sasinë e eurove.
Sipas dokumenteve Dritëro Azemi, telefonon Rigon Maliqin, duke i thënë se donte ta takonte në Prishtinë pasi kishte një punë urgjente me qëllim që të shoqëruar një vajzë për në Tiranë.
Kur ka shkuar Rigoni në Prishtinë diku në vendin e njohur si Rruga “B” ai është takuar më Driteron, i cili i ka kërkuar për të shkuar në Tiranë dhe se do të vinte një vajzë ta shoqëronte.
Në bisedë e sipër Dritero i ka dhënë një çantë të vogël shpine brenda të cilës ishte një makinë për numërimin e lekëve duke i thënë se kur të vinte në Tiranë do të qëndronte te në karburant “E...”, që ndodhet në rrugën nacionale Fushë-Krujë- Tiranë, të merrte një dhomë hoteli dhe më pas do të takonte një person, i cili do i jepte 40 mijë.
Për këtë punë, Dritëroi i ka dhënë makinën e numrit të lekëve me qëllim që të kontrollonte eurot nëse ishin të vërteta ose jo, dhe se për këtë punë Dritero do të jepte Rigonit 1000 Euro.
Gjatë kohës që Rigoni ka qenë duke biseduar me Driteron aty ka shkuar një taksi nga e cila ka zbritur një vajzë të cilën Dritëroi e kishte shoqe dhe Dritoroi i ka thënë se atë do ta shoqëronte për në Tiranë me autobus.
Dritëroi i ka thënë se vajza quhej Flaka dhe se ishte e moshës 24 vjeçe. Më pas Rigoni së bashku me Flakën kanë hipur në taksi dhe kanë shkuar në stacionin e autobusëve me qëllim që të niseshin për në Tiranë.
Rreth orës 17:00 Rigoni dhe Flaka kanë hipur në autobusin e linjës “Sharri Travel”, nga Prishtina për në Tiranë, ku Flaka ka patur me vete dhe dy çanta.
Njëra çantë ka patur ngjyrë të zezë ndërsa tjetra ka qenë me ngjyrë rozë. Pas rreth një ore autobusi ka qëndruar në stacionin e Prizrenit dhe aty Rigoni së bashku me Flakën ka zbritur për disa minuta.
Gjatë kësaj kohe aty kanë shkuar dy djem të rinj të cilët janë takuar me Flakën dhe kanë biseduar pak metra larg Rigoinit. Më pas këta dy djemtë janë larguan në këmbë.
Më pas Rigoni së bashku me Flakën, kanë hipur në autobuz dhe kanë vazhduar rrugën për në drejtim të kufirit me qëllim për të ardhur në Tiranë.
Rreth orës 21:50 minuta Rigoni së bashku me Flakën, kanë zbritur te karburant “E...”, ku ndodhet dhe Hotel “Eljos”, ata kanë zbritur dy valixhet dhe më pas Rigoni ka hyrë në lokal, ndërsa Flaka ka qëndruar jashtë.
Pas disa minutash Rigoni ka dal nga hoteli me valixhen e zezë dhe e ka lënë atë jashtë te parkingu i lokalit ku ishin të parkuar disa kamionë.
Më pas Rigoni është futur në lokal për të pirë kafe, ndërsa Flaka ka qëndruar jashtë duke biseduar me dy persona të cilët po qëndronin në këmbë dhe ishin të njëjtët persona që Flaka kishte takuar në qytetin e Prizrenit te stacioni i autobuzët.
Personat që kanë qenë duke biseduar me Flakën kanë shkuar te karburanti me një makinë BMË, Seria 3, me ngjyrë Blu e zënë me targa Kosovare.
Pas disa minutash në pritje Rigioni është telefonuar në telefon në aplikacionin WhatsApp nga numri +3834858XXX, i cili i është prezantuar me emrin Lion Pira dhe i ka thënë se numrin e telefonit ja kishte dhënë shtetasi Dritero Azemi.
Lion Pira i ka thënë Rigonit që aty do të shkonte një person tjetër i cili do të sillte lekët dhe i ka thënë Rigonit që para se ti merrte lekët ti kontrollonte ato nëse ishin të rregullta dhe më pas t’ia merrte.
Pasi të merrte lekët, Lioni i ka thënë Rigonit që të ngjitej në një dhomë hoteli dhe të priste telefonatën tjetër se do të vinte ai ta merrte nga hoteli së bashku me lekët.
Gjatë kohës që ka qenë në këtë karburant Rigoni është telefonuar disa herë nga Lioni, i cili e ka instruktuar se çfarë veprimesh duhej të bënte dhe pasi të verifikonte shumën e lekëve do ti dorëzonte personit që kishte lekët valixhen e zezë.
Rigoni është telefonuar përsëri nga Lioni, i cili i ka thënë se ishte një person me një makinë që po e priste jashtë dhe në këtë kohë Rigoni ka zbritur dhe është takuar me një djalë të ri.
Gjatë kohës që ata kanë qenë duke biseduar Rigoni është telefonuar gjatë gjithë kohës nga Lioni. Më pas Lioni së bashku me djalin tjetër dhe Flakën janë larguar me makinë nga karburanti dhe në të njëjtën kohë aty ka shkuar policia, e cila ka bërë arrestimin e Rigonit. Lion Pira, është arrestuar më pas në zonën e Kukësit dhe bashkë me të dhe Shkëlqim Halabaku.

