Meta: Cilësia e arsimit tonë më e ulta në Evropë, shpopullimi pjesë e agjendës së qeverisë

Gjatë mbledhjet së komitetit drejtues kombëtar të Partisë së Lirisë, ilir Meta tha se cilësia e arsimit shqiptar dhe investimi i Qeverisë në arsim mbetet më e ulta në rajon dhe Evropë.

Ai shtoi se vetëm përmes rritjes së investimeve në arsim, kërkim shkencor dhe teknologji ne mund të rritim produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë tonë kombëtare.

Meta: Për Partinë e Lirisë arsimi është kryeprioritet kombëtar. Sepse ne besojmë se investimi në arsim është investimi më madhor për të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj kemi paraqitur 7 propozime konkrete dhe plotësisht të realizueshme për t’a rikthyer brenda një kohe të shkurtër arsimin në shinat e dijes sepse ne besojmë se në këtë mënyrë do të ndalim edhe shpopullimin. Rritja në masën 5% të PPB të buxhetimit të arsimit dhe miratimi në Kuvend me shumicë të cilësuar të ligjeve kryesore të arsimit mendojmë se janë alternativa e duhur për daljen nga honi i injorancës ku kjo mazhorancë e ka zhytur vendin.

Për të kuptuar këtë mjafton të shohësh raportet e Bankës Botërore. Cilësia e arsimit shqiptar dhe investimi i Qeverisë në arsim mbetet më e ulta në rajon dhe Europë. Ndaj jo më kot jemi të 8-ët në botë për largimin e trurit, në vend të 69-të mes 80 vendeve sipas testit të PISA-s për rritjen e nivelit të analfabetizmit funksional, si edhe për rënien dramatike të nivelit të përvetësimit të dijeve. Sipas testit të PISA-s jemi më keq seç ishim në vitin 2018 dhe akoma më keq se në vitin 2015.  Shqipëria ka humbur në matematikë 69 pikë, në letërsi 47 pikë dhe shkencë 41 pikë. Ndërkohë është përgjysmuar numri i fëmijëve nga 687 mijë në 1991, në 312 mijë në 2022-23.

Vetëm përmes rritjes së investimeve në arsim, kërkim shkencor dhe teknologji ne mund të rritim produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë tonë kombëtare. Ndërsa ne investojmë 0,06% të PPB në shkencë, mesatarja e BE është 2,23%. Gati 37 herë më pak.  Ndërsa ne investuam 0,04% në 2021, Serbia investoi 0,97% ose 24 herë më shumë dhe Maqedonia investoi 9,3 herë më shumë se ne. Qeveria, në vend që të reagojë për katastrofën demografike të vendit, vazhdon me vullnet të plotë t’i shërbejë një klike oligarkësh, me të cilët tashmë ka në bashkëpronësi gjithçka, pasuritë dhe pronat, paratë dhe shërbimet publike.

Shpopullimi është i qëllimshëm dhe pjesë e axhendës antikombëtare të Qeverisë. Shpopullimi vijon të mbetet një nga plagët më të mëdha që Edi Rama dhe “Rilindja” i ka shkaktuar vendit dhe një nga arsyet pse ende po mbahen të fshehta rezultatet e Censusit. Rritja e niveleve të migracionit të të rinjve, e kombinuar me plakjen e popullsisë, pritet të thellojë krizën demografike dhe po dikton rritjen e mëtejshme të moshës së daljes në pension. Në një vit Shqipëria humbet 36 mijë të rinj që largohen nga vendi dhe ndërkohë 23 mijë pensionistë shtohen në skemën e pensioneve. Në vitin 2023 numri i tyre vlerësohet të ketë arritur në rreth 700 mijë persona, me një rritje rreth 19% në krahasim me 2014.

Pensionistët shqiptarë në pjesën dërrmuese marrin pensione shumë më të ulëta se kufiri i varfërisë i përcaktuar nga Banka Botërore në 6.85 USD në ditë. Për një pensionist në qytet pensioni i pleqërisë është 6.4 USD në ditë, ndërsa pensioni i pleqërisë në zonat rurale është 3.8 USD në ditë ose sa gjysma e nivelit të varfërisë. Efekti i rritjes në nivel dyshifror i çmimeve dhe veçanërisht atyre ushqimore ka rënduar edhe më shumë pensionistët dhe pesha e ushqimeve është 59% e shpenzimeve të tyre mujore. Nëse në vitin 2018, pensioni mesatar ishte sa 31% e pagës mesatare bruto, në vitin 2023, ky raport arriti në 25%. Ulja e kostos së lartë të jetesës është një nga objektivat kryesorë të politikave ekonomike dhe sociale të Partisë të Lirisë