100 ferma agroturizmi në 2027-ën/ Zbardhet strategjia: Frenon ikjen e të rinjve, nxit punësimin e grave
Agroturizmi është një prej sektorëve që ka marrë zhvillim në vendin tonë, por vlerësohet se potencialet ende nuk janë shfrytëzuar. Për këtë qeveria ka hartuar një strategji, e cila synon edhe frenimin e largimit të të rinjve nga zonat rurale dhe nxitjen e punësimit të grave
Pas një viti të cilësuar të suksesshëm të turizmit bregdetar, duket se qeveria do të ketë në fokus edhe zhvillimin e agroturizmit.
Në draft-strategjinë e publikuar për Konsultim publik, Ekzekutivi synon që deri në 2027-ën të jenë 100 subjekte agroturizmi të certifikuara nga 24 që janë aktualisht.
Nxitja e fermave agroturistike synohet të ndikojë edhe në frenimin e emigracionit të të rinjve dhe përfshirjen e grave në këto veprimtari ekonomike.
Një tjetër objektiv, thuhet në strategji, është edhe lehtësimi i bashkëpunimit ndërmjet sipërmarrësve dhe aktorëve të tjerë në sektorin e bujqësisë dhe turizmit.
Edhe rritja e aksesit në digjitalizmin shihet një objektiv i qartë. Në raport thuhet se sektori i Turizmit kërkon kapacitet të lartë për të shfrytëzuar potencialin e rrjeteve sociale dhe të mjeteve digjitale.
Shpërndarja e një përvoje me të tjerët mund të ndihmojë në marketing.
Përmirësimi i cilësisë së jetesës në zonat rurale shikohet si domosdoshmëri për krijimin e 100 subjekteve të agroturizmit. Për këtë arsye do të përgatitet një udhëzues për standardet minimale që do të zbatohen për sektorin e ushqimit dhe veprimtaritë pritëse.


