Nxjerrja nga qarkullimi i dinarit serb, Kurti: Në Kosovë e vetmja valutë e shkëmbimit dhe shit-blerjes është euroja
Kryeministri Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për të nxjerrë nga tregu kosovar dinarin serb, duke u shprehur se vendimet e BQK-së janë të pavarura.
Në një prononcim për mediat kosovare, Kurti është shprehur se rregulloret dhe vendimet e BQK-së janë plotësisht në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Vendimet BQK-së janë të pavarura dhe BQK-ja është institucion i pavarur. Rregulloret që ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Unë besoj se duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe Guvernatorin Ahmet Ismailin që ta bëjë punën e tij, ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvendin e Republikës tonë”, theksoi Kurti.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë së Kosovës ka theksuar se në Kosovë e vetmja valutë e shkëmbimit dhe shit-blerjes është euroja.
“Ai po bën punë shumë të mirë dhe ka shpjeguar qartë e saktë se në Kosovë e vetmja valutë e shkëmbimit dhe shit-blerjes është euroja.
Ne nuk dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, por vetëm të sjellim ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe rregullsi edhe në veriun e Kosovës dhe gjithandej ku ka serbë në Kosovë”, tha ai.
