Kosova, armatime nga SHBA-Turqi, Shala: Beogradi është shqetësuar! Zgjedhjet në PE do ndikojnë tek vendet e rajonit në konflikt

Pas marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë Kosova nënshkruan një tjetër marrëveshje me Turqinë për armatimin e pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Kosovës, bashkëpunim në fusha të caktuara deri tek trajnimet në nivelet teknike dhe akademike.

Në një intervistë për “Ora News” eksperti i sigurisë në Kosovë, Drizan Shala theksoi se njëkohësisht shkëmbimi i informacioneve të shërbimeve të inteligjencës do të jetë një pikë interesante e kësaj marrëveshjeje.

“Por bazamenti kryesor i marrëveshjes është fakti pasi në Beograd po trumbetohet rritja e nivelit të sigurisë së Kosovës, e cila është fokusuar tek niveli ushtarak dhe niveli i mbrojtjes së saj. Pra për herë të parë ushtria e Kosovës do të avancojë më tej që Kosova të ketë industrinë e saj të mbrojtjes, dhe kjo të ketë impakt të drejtëpërdrejtë me partnerët që janë pjesë e aleancës Veri Atlantike (NATO).

Rusia mund të jetë kundër një veprimi të tillë nga ana e Turqisë, por edhe vetë Serbia mund të thërrasë në takim ambasadorin turk në Beograd. Pra kjo dëshmon faktin se partnerët strategjikë e kanë forcuar Kosovës, dhe Serbia do të vazhdojë më tutje për të krijuar Botën Serbe, ajo ka avancuar më tej në prodhimin e dronëve ushtarakë, sot u mbajt parada ushtarake atje kur presidenti Vuçiç ka paralajmëruar blerjen e një sistemi raketor. Pra kjo dëshmon në militarizimi në vitin 2024 i Ballkanit do të jetë tema kyçe në nivelin e diskutimeve qoftë diplomatike, qoftë në nivele të tjera”, u shpreh Shala.