Ekstradohen 2 shtetas nga Gjermania e Greqia, operacionin e përshëndet edhe Balla

Autoritetet ligjzbatuese shqiptare po vijojnë çdo ditë bashkëpunimin me Interpol për gjetjen e personave në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

Të akuzuar si bashkëpunëtorë në trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike u ekstraduan nga Gjermania dhe Greqia, në Shqipëri, 2 shtetas shqiptarë.

Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Wiesbaden, u ekstradua shtetasi E. D., 31 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Shtetasi E. D. akuzohet se gjatë periudhës janar 2018-dhjetor 2022, ka qenë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte sasi të mëdha droge, në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Holandë dhe Gjermani.

Po ashtu, si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, u ekstradua shtetasi V. H. alias V. H., 43 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës se Parë për Krimet e Rënda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Ai akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike cannabis sativa, drejt Greqisë.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi sot Interpol Tirana, e cila në bashkëpunim edhe me njësitë partnere në Gjermani dhe Greqi, lokalizuan, ndaluan dhe sot ekstraduan në Shqipëri dy persona, pjesëtarë të grupeve kriminale të përfshira në trafik lëndësh narkotike.