Britani, gropat që “thithin” paratë, shoferëve u kushtojnë 500 milionë paund për 2023-in
Mungesa e investimeve dhe përmbytjet për shkak të ndryshimeve klimaterike shkaktuan mbi 600 mijë gropa në Mbretërinë e Bashkuar. Drejtuesve të automjeteve u ka kushtuar 500 milionë paund riparime për 2023-in.
500 milionë paund u kanë kushtuar drejtuesve të automjeteve dëmtimet e makinave të tyre për shkak të gropave në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar.
Nëse nuk do të ishte lokalizuar emri i këtyre rrugëve, nuk do ta besonit se gjenden në një vend kaq të zhvilluar. Raporti shpjegon dëmet e vitit 2023, teksa po mendohet një teknologji e re për riparimin e tyre.
Në Universitetin e Kembrixhit, specialistët e inxhinierisë po shqyrtojnë me vëmendje materialet elastike, më të përshtatme për tu futur në punë.
Kjo për shkak se ndryshimi i klimës sipas ekspertëve do të përkeqësojë edhe më tej performancën e infrastrukturës, pasi moti më i lagësht dhe ekstremet e temperaturës shkaktojnë një goditje shtesë në sipërfaqet e rrugëve.
Pothuajse 630,000 gropa u raportuan në Angli, Skoci dhe Uells midis janarit dhe nëntorit 2023, niveli më i lartë i regjistruar në pesë vjet, sipas të dhënave të qeverisë lokale.
Gropat po i vënë shoferët, çiklistët dhe madje edhe këmbësorët në rrezik të lëndimeve serioze thotë raporti. Ai gjithashtu bën thirrje për financim më të rregullt dhe të qëndrueshëm të tyre.
