Lufta në 101 ditë, pamjet nga Gaza, 50% shtëpive jashtë funksionit, 85% e popullsisë lënë shtëpitë e tyre
Bombardimet dhe sulmet e armatosura në territorin e Gazës pas 101 ditëve, kanë prodhuar shkatërrimin e plotë të zonës. Sipas të dhënave më shumë se gjysma e njësive të banimit janë tërësisht jashtë funksionit, teksa pjesa më e madhe e popullatës është larguar për të mos e kthyer më kokën pas.
101 ditë më parë, kufijtë e Izraelit u sulmuan nga grupi terrorist i Hamas, çka nisi jo vetëm luftën që vijon edhe sot, por edhe përballjen e civilëve me një krizë të rëndë humanitare.
Kjo video me dron e publikuar nga BBC, tregon shkatërrimin e Gazës pas më shumë se 3 muajve përplasje të armatosur. Ndërtesat e shkatërruara dhe rrugët e boshatisura janë panoramë e pasojave të luftës.
Izraeli thotë se ka përdorur më shumë se 10,000 bomba dhe raketa dhe ka nisur qindra sulme ajrore në të gjithë vendin me qëllim kapjen e terroristëve.
Zyrtarët e Gazës kanë njoftuar se më shumë se 50% e njësive të banimit janë jashtë funksioni. Pothuajse dy milionë njerëz në enklavë - 85% e popullsisë - raportohet të kenë ikur nga shtëpitë e tyre.
Numri i civilëve të vrarë në bombardimet izraelite që pasuan sulmet e Hamasit ka qenë i madh. Më shumë se 23,000 janë vrarë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, shumë prej tyre gra dhe fëmijë. Mijëra të tjerë besohet të jenë të vdekur nën rrënoja.
Ndërkohë, Izraeli raporton se synimi i luftës është eliminimi i terroristëve të Hamas, të cilët po fshihen vazhdimisht pas zonave ku qëndrojnë civilët.
