"Tesla" ndalon prodhimin pas sulmeve të rebelëve Houthi në Detin e Kuq
Prodhuesi amerikan i makinave elektrike ”Tesla” është detyruar të ndalojë prodhimin në një fabrikë jashtë kryeqytetit gjerman Berlin për rreth dy javë, tha kompania duke përmendur boshllëqet në zinxhirin e furnizimit për shkak të sulmeve Houthi në anijet me kontejnerë në Detin e Kuq.
“Për shkak të mungesës së komponentëve, ne jemi të detyruar të pezullojmë prodhimin e automjeteve në Gigafactory Berlin-Brandenburg midis 29 janarit dhe 11 shkurtit, me përjashtim të disa nënzonave”, tha ”Tesla” në një deklaratë.
Që nga shpërthimi i luftës së Gazës midis Izraelit dhe Hamasit islamik, rebelët Houthi të Jemenit kanë sulmuar vazhdimisht anijet me një lidhje të dyshuar izraelite në Detin e Kuq.
Kompanitë e mëdha të transportit e kanë shmangur gjithnjë e më shumë rrugën e rëndësishme tregtare.
Rreth 10% e të gjithë tregtisë globale kalon përmes Detit të Kuq.
Në vend që të përshkojnë Kanalin e Suezit, i cili lidh Mesdheun me Detin e Kuq dhe ofron rrugën më të shkurtër detare midis Azisë dhe Evropës, shumë prej tyre po zgjedhin të ridrejtojnë anijet rreth Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikën e Jugut, gjë që zgjat rreth dy javë më shumë.
”Teksa anijet e ngarkesave po ridrejtohen për të shmangur Detin e Kuq, kohët dukshëm më të gjata të transportit po shkaktojnë boshllëqe në zinxhirin e furnizimit, tha ”Tesla”.
“Prodhimi do të rifillojë plotësisht nga 12 shkurti”, shtoi ajo.
Tesla ka prodhuar makina elektrike në Grunheide, afër Berlinit, që nga marsi i vitit 2022, me rreth 11 500 të punësuar atje.


