BB parashikon kohë të vështira, Muço: Rritja ekonomike, jo në përpjesëtim me situatën. 5-vjeçari do të mbyllet shumë keq
Rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë 2024-ës do të ngadalësohet me 0.2%, ky është parashikimi i Bankës Botërore. Sipas ekspertit Klodian Muço, rritja ekonomike nuk është në përpjesëtim të drejtë me situatën aktuale në Shqipëri
Rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë 2024-ës do të ngadalësohet me 0.2%. Sipas raportit të publikuar nga Banka Botërore për ekonominë globale, situata është cilësuar më serioze për 30 vitet e fundit.
Megjithatë parashikimi i Bankës Botërore është më i ulët se ai i Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave që parashikuan se do të ketë një rritje me 3.7 për qind.
Sipas raportit, ekonomia globale parashikohet të ngadalësohet me 2.4% nga 2.6 që ishte në 2023-in, kjo edhe për shkak të situatave të konflikteve në Evropën Lindore, pushtimi rus në Ukrainë dhe lufta në Gaza.
Nga ana tjetër, eksperti Klodian Muço shprehet se rritja ekonomike e parashikuar në projeksionin e 3.2% nuk është në përpjesëtim të drejtë me situatën ekonomike aktuale në Shqipëri.
Klodian Muço, ekspert i Ekonomisë: “3.6 apo 3.8 përsëri kjo rritje është pamjaftueshme për të justifikuar situatën ekonomike në të cilën ndodhet Shqipëria. Apo për të justifikuar se sa lekë po hidhen në infrastrukturë në shitje apo investime. Ndërmjet rreshtave tregon që 5-vjeçari 2020-2025 do të mbyllet shumë keq, në sensin që konsiderohet si 5-vjeçari më i vështirë për rritjen ekonomike ndër 10-vjeçarët e fundit. Kjo tregon në një farë mënyre që performanca ekonomike e vendeve në tërësi nuk do të jetë siç ka qenë në të kaluarën”.
Në raport thuhet se ulja e inflacionit dhe turizmi shihen si dy indikatorë kryesorë për rritjen ekonomike rajonale.
Por, sipas Muços, jo vetëm turizmi duhet parë si dritë në fund të tunelit. Ekonomia shqiptare duhet të përqendrohet edhe tek prodhimi vendas dhe fuqia punëtore në këto sektorë.
Klodian Muço, ekspert i Ekonomisë: “Ndoshta 2024-a, apo 2025-a janë vite të vështira për ekonominë shqiptare, sepse nga njëra anë kemi një reduktim të vazhdueshëm të numrit të popullsisë, nga ana tjetër kemi plakje të shpejtë të popullsisë. Dhe ke një industri të pazhvilluar, apo të paautomatizuar.
Kështu që nevojiten le të themi investime të rëndësishme në bujqësi apo në sektorë të tjerë të ekonomisë që të përshpejtojmë me automatizimin e proceseve prodhuese, sepse ndryshe do të jetë e vështirë për gjetjen e burimeve njerëzore të kualifikuar”.
Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova duket se është vendi me pritshmëritë më të larta për rritjen ekonomike me 3.9%, pasuar më pas nga Mali i Zi me 3.2%, Serbia me 3%, dhe në fund Bosnjë-Hercegovina 2.8%, Maqedonia e Veriut 2,5 për rritjen ekonomike gjatë 2024-ës.



