Merret peng helikopteri i OKB-së me 8 persona në bord
Një helikopter i Organizatës së Kombeve të Bashkuara me 8 persona në bord është rrëmbyer nga grupi islamik somalez al-Shabab, pasi u ul në territorin e kontrolluar nga terroristët.
Misioni ka njoftuar se helikopteri ishte kontraktuar nga OKB-ja për një evakuim mjekësor, në bord kishte dhe personel ushtarak, por kombësia nuk është specifikuar.
Mediat raportojnë se 1 person është vrarë dhe 2 të tjerë kanë mundur të largohen.
Helikopteri, i pajisur me mjete mjekësore, ishte nisur nga Somalia Qëndrore drejt qytetit Wisil, pranë vijës së frontit të një ofensive kundër al-Shabab nga forcat qeveritare, por u ul në rajonin Galgaduud për shkak të një defekti teknik.
“Të gjitha fluturimet e OKB-së janë pezulluar përkohësisht në zonw deri në një moment të dytë”, thuhet në njoftimin e Misionit.
‘Po bëjmë përpjekjet tona për të shpëtuar të rrëmbyerit’ tha zëdhënësi i OKB duke mos dhënë më tej detaje, për të hir të sigurisë së tyre.
Grupi terrorist islamik, Al-Shabab kontrollon pjesë të mëdha të Somalisë jugore dhe qendrore.
Ata janë të lidhur me Al-Kaedën dhe kanë zhvilluar kryengritje të dhunshme për rreth 20 vjet, kundër qeverisë në Mogadishu, e cila ka luftuar për të zbutur dhunën e tyre pavarësisht mbështetjes së konsiderueshme ushtarake të huaj. Qeveria somaleze nuk ka bërë asnjë reagim në lidhje me incidentin e së mërkurës.


