Lavezzi i shtruar në klinikë psikiatrike: Filloi të dëgjonte zëra dhe kapi gërshërët, dukej sikur po fliste me Zotin

E gjithë Argjentina është në ankth për situatën e Ezekel Lavecit.

Një prej emrave më të njohur të futbollit argjentinas në dy dekadat e fundit, është shtuar në klinikë të specializuara psikiatrike, pasi po kalon në këtë periudhë një situatë shumë të veçantë.

Ish-futbollisti i njohur u bë protagonist në ndërrimin e viteve me një incident gjatë një darke familjare, pasi mbeti i plagosur me mjete të ftohta dhe u shtrua në spital në Uruguai.

Nga aty, ai u dërgua me urgjencë në një qendër psikiatrike shumë të njohur në Argjentinë.

Mediat argjentinase kanë filluar të zbulojnë prapaskenat e asaj ngjarje të pazakontë.

“Në mënyrë të papritur u bë shumë nervoz, ai filloi të dëgjonte zëra. Mendoi se dikush po e kërkonte dhe po e përndiqte.

U frikësua shumë”, ka zbuluar gazetari Luis Ventura atë që ndodhi në darkën familjare nga e cila Laveci përfundoi në spital.

“Ai u tmerrua aq shumë, sa që mbërtheu një palë gërshërë. Vëllau i tij e pa dhe u mundua ta qetësonte, por nuk ishte e thjeshtë të zgjidhej një situatë e tillë.

Në kushte të tilla, e kishte të pamundur të udhëtonte, edhe pas shtrimit në spital, do të kishte qenë në rrezik për vetveten dhe për ekuipazhin e avionit.

Atij i kanë dhënë një qetësues të fortë në mënyrë që të flinte”, shpjegoi gazetari mënyrën se si ishte transportuar ish-futbollisti me avionin-ambulancë.

Askush nuk e di se pse erdhi ky reagim nga ana e ish-sulmuesit.

“Kishte një lloj shpërthimi mistik në ato momente. Dukej sikur po fliste me Zotin, duke i drejtuar lutje dhe kërkesa”, tha gazetari në televizionet argjentinase ku situata e Lavecit është kthyer në çështje dite.