Izraeli eliminon një nga top komandantët elitë të Hezbollahut
Një udhëheqës ushtarak i Hezbollahut u vra në një sulm izraelit, që synonte një makinë në Kherbet Sellom, në lagjen Bint Jbeil të Libanit të Jugut, thanë burimet e sigurisë për të përditshmen libaneze L’Orient-Le Jour.
Në automjet ndodhej edhe një person tjetër, i cili aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë.
Sipas tre burimeve të sigurisë të cituara nga agjencia e lajmeve Reuters ndërkaq, komandanti i synuar është pjesë e njësisë elitare të Hezbollahut, forcës Radwan.
Po të njëjtën situatë ka raportuar edhe Agjencia Franceze e Lajmeve AFP, duke përmendur zyrtarë të sigurisë së lartë në Liban si burim.
Identiteti ndërkaq mendohet se është ai i Jawad al-Tawil, një prej komandatëve tokësorë të Hezbollahut.
Forcat Radwan, ose siç njihen gjatë al-Hajj Rawdan Force, janë njësite të specializuara operacionale, të grupimit militant Hezbollah në Liban. Ato megjithatë e kanë shtrirë aktivitetin edhe në Siri dhe Izrael dhe numërojnë rreth 2 mijë e 500 forca elitë, sipas një përllogaritjeje të bërë në vitin 2022.
Hezbollahu ka trajnuar luftëtarë të forcave speciale që nga vitet 1990, të cilët sot janë pjesë e Njësisë Radwan. Ata kanë përvojë të veçantë në bastisjet dhe taktikat e njësive të vogla dhe sipas Hezbollahut kryejnë “prita, atentate ose operacione që kërkojnë infiltrim të thellë”.
Njësia, e krijuar në vitin 2008, shërben si bazë organizative dhe operacionale për njësitë e specializuara të Hezbollahut.
Sipas disa burimeve, përfshirja në luftën civile siriane i dha Hezbollahut në përgjithësi, dhe Forcës Radwan në veçanti, përvojë të rëndësishme në fushën e betejës dhe koordinim të armëve luftarake në një shkallë më të gjerë.
Sipas studiuesit izraelit Dima Adamsky, bashkëpunimi me forcat e avancuara të armatosura të rregullta në Siri i mundësoi Forcës Radwan të kalonte nga këmbësoria e avancuar në forcën komando, e aftë për të arritur efekte të rëndësishme operacionale dhe strategjike në një luftë kundër Izraelit.

