Sulmi ajror godet fshatin në veri të Mianmarit, 15 të vdekur përfshirë edhe fëmijë
Të paktën 15 persona, përfshirë fëmijë, u vranë në një sulm ajror në një fshat në veriperëndim të Mianmarit, njoftuan mediat e vendit të dielën.
Armiqësitë gjithnjë e më të ashpra po shpërthejnë në Mianmar, ndërsa junta ushtarake përleshet me rivalët në veri dhe lindje të territorit.
Bastisjet goditën një fshat në njësinë bashkiake Hambat, në rrethin Tamos, dje rreth orës 10:15.
Raportet e shtypit flasin për pesëmbëdhjetë të vdekur, përfshirë fëmijë dhe njëzet të plagosur. Por dy dëshmitarë okularë, një burrë dhe një grua, të cilët kërkuan të mos përmendet emri për sigurinë e tyre, i thanë AFP se numri ishte më i rëndë.
“Nëntëmbëdhjetë njerëz u vranë, mes tyre tetë fëmijë,” tha burri, duke shtuar se ai pa një bombardues të juntës ushtarake që fluturonte mbi fshat gjatë bastisjes.
Sipas tij, bombat e para janë drejtuar në dy kishat e fshatit. Një gjuajtje e dytë u bë ndërsa njerëzit nxituan nga vendet e adhurimit për të shpëtuar.
“Shumica u vranë jashtë kishave, pasi vrapuan për të shpëtuar veten,” shpjegoi ai.
Në total, avioni hodhi gjashtë bomba.
“Ata synonin dy kishat, por ata ranë jashtë dhe goditën shtëpitë”, shtoi ai.
Një tjetër bombë ra pranë shkollës, theksoi ai.
Në vend të kësaj, media shtetërore këmbënguli se raportet për një sulm ajror në komunitet ishin “të rreme”, me MRTV që pohoi se asnjë avion ushtarak nuk kishte tentuar të sulmonte zonën dje.
Fshati është nën kontrollin e një grupi të Forcave të Mbrojtjes Popullore (PDF), një nga disa organizata të formuara nga civilë që morën armët për të luftuar kundër juntës ushtarake.
Ushtria i cilëson këto organizata si “terroriste”.
Çifti që foli për AFP tha se 30 persona u plagosën. Sipas gruas, numri i viktimave rrezikon të rritet, pasi disa nga të plagosurit janë në gjendje shumë të rëndë.
Të lënduarit po trajtohen në një klinikë në atë zonë, shtoi ajo, pa dhënë detaje.

