Dhuna në familje dhe vetëvrasja e nënës së 4 fëmijëve, pedagogia Eris Dhamo rendit shkaqet
Bedrie Loka, nënë e katër fëmijëve, i dha fund jetës në fshatin Sukth të Durrësit duke pirë fostoksinë. Shkak për fundin fatal të 41-vjeçares, sipas familjarëve, por edhe reagimit të policisë së Durrësit, u bë publikimi i disa videove-montazh në TikTok, me fotografinë e së ndjerës dhe një gjuhë denigruese dhe urrejtje ndaj saj.
Prokuroria ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti, ku tashmë është arrestuar dhe bashkëshorti i të ndjerës, ndërsa shoqëria civile ka mbajtur dhe një protestë.
Për të kuptuar më shumë lidhur me këtë fenomen e ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës” ishte pedagogia e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, Eris Dhamo, e cila renditi dhe disa prej shkaqeve se pse ndodh dhuna në familje.
“Në fakt kur e analizojmë rastin e Durrësit si të veçuar duhet të kuptojmë se shkaqet janë të karakterit individual apo familjar, aq edhe faktor social apo shoqëror.
Ato janë të shumta, duke nisur nga modelet e dhunës, pra nëse dikush është rritur në një mjedis ku është toleruar dhuna, apo ka qenë një mori shkaqesh dhe episodesh të dhunës, sigurisht që ai edhe në familjen e tij ka shumë shanse të demonstrojë dhunë.
Dhe natyrisht do të tentojë të zgjidhë konfliktet apo problemet po përmes dhunës.
Po ashtu janë dhe faktorët psikologjikë, të cilët lidhen drejtpërdrejtë me personalitetin e individit, dhe kontribuojnë në shfaqjen e dhunës.
Po ashtu është dhe faktori ekonomik që po ashtu është shumë i rëndësishëm në shpërfaqjen e dhunës”, u shpreh ndër të tjera, pedagogia e Shkencave Sociale, Eris Dhamo.


