Pa viza në Schengen nga 1 janari, gazetarja kosovare rrëfen udhëtimin “e parë”: Ishim të dyzuar mes gëzimit e skepticizmit
Pas më shumë se dy dekadave izolim, qytetarët e Kosovës prej pak ditësh po gëzojnë lirinë e lëvizjes dhe të mundësisë së udhëtimit pa viza në zonën e vendeve Shengen.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme për Kosovën, gazetarja Kaltrina Ajeti solli në studion e lajmeve në “Ora News” atmosferën e përjetimit të udhëtimit pa viza, që hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti.
“Në fakt u prit me shumë gëzim, por edhe me shumë skepticizëm, pasi ka qenë një proces me të vërtetë shumë i gjatë. Ishin bërë shumë vite ku merrnim lajme pozitive dhe premtime, dhe kur vinte fundi gjithmonë shtyhej në kohë.
Ka pasur shumë qytetarë që kanë lëvizur, por edhe shumë prej atyre që kanë pritur për pak ditë, duke pritur përvojat e të tjerëve e më pas të merrnin masat.
Më 1 janar unë udhëtova drejt Kroacisë, por nuk ishte se e vizitoja për herë të parë atë. Por e zgjodha sepse do të ishte vendi i parë që do ta vizitoja pa viza, sepse isha skeptike për procedurat, ndaj e zgjodha si shtetin më të afërt që kemi të hapësirës Schengen”, u shpreh ndër të tjera gazetarja kosovare, Kaltrina Ajeti.

