Nga Gjuha, Letërsia dhe Kultura, Osmani vlerëson personalitetet e shquara shqiptare nga Poradeci e Kuteli tek arbëreshët
Gjuha, letërsia e kultura përbëjnë gur të rëndësishëm në jetën e kombeve. Prandaj, më 29 dhjetor Presidentja Osmani u ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave krijuesve e artistëve të shumtë, nga më të hershmit, siç është bardi i letrave shqipe e frymëzuesi i madh i rilindjes kombëtare shqiptare, Jeronim de Rada e poeti i shquar arbëresh, Zef Serembe, e deri të klasikët e letërsisë sonë, Mitrush Kuteli e Lasgush Poradeci, por edhe shkrimtarët e mëvonshëm si Hajro Ulqinaku, Beqir Musliu e Xhevdet Bajraj.
Nderuam poashtu etnologët tanë, si Mark Tirtën, por edhe Institutin Arkeologjik të Kosovës e Muzeun e Kosovës, që kanë hulumtuar, dokumentuar dhe ekspozuar trashëgiminë tonë kulturore, duke krijuar dritare që na lejojnë t’i kuptojmë dhe t’i vlerësojmë më mirë rrënjët tona historike dhe kulturore.
Po ashtu, Presidentja ka dekoruar me medalje aktoren Melihate Qena, si dhe Shpresa Gashin, Drita Rudin, ansamblin “Kastiotët”, Fatmira Brecanin; rapsodët Riza Bllaca, Salih e Feriz Krasniqi e Sali Mani, Të Bijtë e Sefës, e deri te arbëreshët Antonio Belushi, Agostino Giordano e studiuesen e kulturës arbëreshe, Ornela Radovicka, si dhe grupin folklorik arbëresh “Shqiponjat”.
Sipas Osmanit, këto personalitete me angazhimin e tyre të palodhur kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë, kulturën, sportin dhe fushat e tjera të jetës sonë.
“Ky është një akt i domosdoshëm për ta shprehur mirënjohjen tonë si komb ndaj atyre që me veprimtarinë e tyre jetësore dhe përkushtimin e pafund ndaj profesionit të tyre në fusha të ndryshme janë shndërruar në shembuj të shkëlqimit dhe frymëzimit të vazhdueshëm për brezat e rinj. Ata janë shembuj të asaj se çfarë mund të arrihet me përkushtim dhe talent”, ka theksuar Osmani në adresimin e tij para ndarjes së dekoratave.
Ajo tha se “sot i nderojmë dhe nuk do të rreshtim së nderuari gjithsecilin që ka dhënë kontribut që Kosova dhe kombi shqiptar të jetë aty ku janë sot”.
“Ne jemi përkujdesur të bëjmë një përzgjedhje që përkon edhe me momentin e ndarjes së medaljeve, rikujtim të trashëgimisë dhe të kaluarës sonë si dhe ata që po hapin shtigje të reja për të ardhmen tonë”, ka vijuar presidentja.
Ajo ka thënë se këto çmime janë vlerësim i punës dhe angazhimit të suksesshëm në zgjerimin e kapaciteteve të vendit tonë dhe rezultateve kulmore në fusha të ndryshme.
“Institucionet e Kosovës dhe populli i Kosovës do t’u jenë përherë mirënjohës personaliteteve të dekoruara sot, atyre që janë dekoruar më herët dhe atyre që do të dekorohen në datat e rëndësishme historike, përfshirë më 17 shkurt dhe 12 qershor, sepse ata e mbajnë gjallë kulturën, artin, letërsinë, dijen, ndjenjën tonë atdhetare dhe mbi të gjitha humanizmin tonë”, ka shtuar Osmani.
E para e shtetit tutje ka thënë se në ditë të shënuara shtetërore e kombëtare do t’ua shprehim mirënjohjen tonë të gjithë atyre që kanë kontribuuar e vazhdojnë të kontribuojnë për vendin e tyre.
“Ata na kanë nderuar dhe e kanë bërë krenar vendin tonë dhe ne sot kemi mundësinë që sadopak t’ua kthejmë këtë të mirë në emër të qytetarëve të Kosovës”, ka nënvizuar presidentja.



