Rama ndahet nga Beqaj: Rrugët tona ndahen me këdo që tradhton...

Kryeministri Edi Rama ndahet përfundimisht nga një ndër njerëzit më të afërt të tij gjatë qeverisjes së vendit në këto 10 vite.

Bëhet fjalë për Ilir Beqajn, ndaj të cilit ka nisur një hetim i gjërë i SPAK lidhur me koncesionin e sterilizimit, por së fundmi tashmë po përballet edhe me abuzimet me fondet publike.

Kryeministri Edi Rama u pyet gjatë konferencës për shtyp në lidhje me qëndrimet e tij për ministra apo ish-ministra që hetohen nga SPAK, duke theksuar se Partia Socialiste kishte hapur rrugën drejtësisë për të goditur fenomenin e korrupsionit në nivele të larta.

“Nuk besoj se ka ndryshuar gjë, që përgjegjësia qeverisëse patjetër është e kryeministrit, ndërsa përgjegjësia penale është individuale. Nuk ka përgjegjësi të ndarë kur është fjala për individë, të cilët abuzojnë me detyrën prapa kurrizit të të tjerëve dhe përpiqen të përfitojnë duke shfrytëzuar mundësinë që u jep detyra. Përgjegjësia e kryeministrit është përgjegjësia e pa diskutueshme për të gjitha objektivat e pashpallura. Qëllimet individuale janë të fshehta dhe të ulëta. Nëse mund të përpiqemi ta shohim ndryshe, besoj se bëhet më e qartë në sensin që qeveria, kryeministri, forca që udhëheq mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si reagojnë ndaj shkeljes së ligjit dhe parimit të punës së përbashkët.

Ne do të mbanim përgjegjësi në rast se do të ishim të pavendosur në rastin më të mirë dhe kundërvendosur në rastin më të keq. Unë jam njeriu më i interesuar që asgjë që përbën shkelje të ligjit dhe një dëm të interesit të publikut të mos kalojë pa u ndëshkuar. Ky është momenti për të ndarë rrugët për të gjithë ata që tradhtojnë qëllimet e përbashkëta. Ne e kemi hapur këtë rrugë. E kam thënë që na duhet një drejtësi që të godasë ata që janë të veshur me pushtet. Të godasë fenomene, fakte që tregojnë se një individ ka shkelur ligjin”, tha Rama.

Rama deklaroi gjithashtu se do të referohem agjencitë e prokurimeve publike. “Do të bëjmë marrëveshje me agjenci ndërkombëtare për prokurimet dhe do të bëhen nga një njësi e përqendruar. Do të heqim prokurimet nga ministritë dhe nga ana tjetër do të krijohen kushtet që agjenci që bëjnë prokurime të bashkëpunojnë me agjenci ndërkombëtare. Paralelisht po punojmë për modelin e ri të inteligjencës artificiale që do të eliminojë 95% të punës së njeriut në prokurimet publike. Këto janë të gjitha hapa që kërkojnë kohën e tyre”, tha Rama.

EKONOMIA

Viti 2023 ishtë viti më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në konferencën me gazetarët duke bërë një bilanc të vitit që po lëmë pas.

Theksin ai e vuri te ekonomia, ulja e papunësisë apo edhe te shifrat e turizmit.

“Në këtë konferencë, mund të them se ndihem më mirë se në asnjë vit të mëparshëm si rezultat i gjithë ecurisë së vitit që po mbyllim, i cili ka qenë më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt, në aspektin ekonomik, gjithmonë këtu duke pasur parasysh paranteza në raport me vitet e shkuara.

Viti më i mirë në aspektin e sigurisë, në aspektin e shërbimeve publike, të investimeve publike dhe të huaja, në aspektin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë. Faktikisht, ky vit, duhet të mbyllet me një rritje ekonomike që e tejkalon ndjeshëm çdo parashikim të bërë qoftë nga qeveria apo institucionet financiare ndërkombëtare. Besojmë se shifra përfundimtare do të jetë afër 4 për qindëshit, 3.7 apo 3.8 për qind”, tha Rama.

TURIZMI

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te turizmi. Ai tha se për nga numri i pasagjerëve, aeroporti i Tiranës, është ngjitur në krye krah për krah me atë të Beogradit. Sakaq shtoi se paga mesatare në sektorin publik do të shkojë 900 euro.

“Paga mesatare në sektorin publik do të shkojë në 900 euro. Aeroporti i Tiranës është ngjitur në krye krah për krah me aeroportin e Beogradin, me numrin më të lartë të pasagjerëve në rajon. Ndërkohë, është aeroporti me rritje më të madhe të pasagjerëve në të gjithë klasifikimin për të gjithë Europën.

Mbi gjysmë milioni udhëtarë kanë zbritur në portin e Sarandës. Kjo më duket shumë domethënëse për potencialin që ka. Ne i kemi hapur rrugën një investimi të ri për portin turistik të Sarandës. Jemi në procesin e vlerësimit të një transformimi edhe të portit ekzistues të Sarandës.

Programi i mbështetjes financiare i nënave me 3 fëmijë ka ecur shumë mirë, po ashtu edhe programi i mbështetjes së të moshuarve mbi 65 vjeç për fishat e diabetit. Janë punësuar 391 mjekë të rinj dhe mbi 1 mijë infermierë.

Janë instaluar 12 laboratorët e parë të inteligjencës artificiale të shkollave publike. Këtë vit është rritur ndjeshëm paga e personelit akademik dhe është rritur me 40 përqind investimi për arsimin e lartë”, tha Edi Rama.