Sfidoi Putinin, Ekaterina Duntsova përjashtohet nga zgjedhjet presidenciale në Rusi
Kërkesa e kandidates pacifiste, Ekaterina Duntsova, për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale, të vitit të ardhshëm, në Rusi, përballë Vladimir Putin, është refuzuar nga Moska.
Vendimi u mor nga "Komisioni Qendror i Zgjedhjeve", me argumentin se ka gabime në dokumentet e paraqitura nga Duntsova.
Gruaja, një ish-gazetare dhe këshilltare e qytetit, aktualisht drejton një OJF që lufton për demokracinë në Rusi dhe ka bërë thirrje për t’i dhënë fund ofensivës ushtarake në Ukrainë.
Reagimi i saj ndaj përjashtimit nga procesi zgjedhor ishte i menjëhershëm. Përmes rrjeteve sociale, sfidantja e Putinit e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të dorëzohet.
“Unë e kundërshtoj këtë përjashtim dhe do të apeloj në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të kërkoj nga partia opozitare Yabloko (me karakter socio-liberal dhe properëndimor, ed. ) për të më emëruar mua si kandidaten e tyre për garën presidenciale, për Rusinë 2024”, tha ajo.
