Qyteti francez i Montpellier bën transportin publik falas për të gjithë banorët

Transporti publik falas, një ëndërr që pothuajse çdo qytet mund ta ketë. Por së fundmi, ky është realiteti që do të përjetojë qyteti francez i Montpellier në Francën jugore, aty ku të gjithë banorët e tij të udhëtojnë falas në transportin publik.

Nga mbrëmja e së enjtes, banorët e Montpellier-it me një leje të veçantë mund të udhëtojnë me tramvaje dhe autobusë pa pagesë në qytetin jugor. Por kjo nuk vlen për vizitorët dhe turistët, të cilët do të duhet të paguajnë 1,60 euro për një udhëtim.

Michael Delafosse, kryetari socialist i bashkisë së qytetit me 500,000 banorë, premtoi transport publik falas kur u zgjodh në vitin 2020. Ai e nisi duke futur udhëtime falas në fundjavë atë vit, më pas vitin e ardhshëm i zgjeroi ato për të gjithë ata më të rinj se 18 ose më të vjetër se 65 vjeç gjatë gjithë javës. Delafosse tha se nisma ishte pjesë e një “angazhimi evropian ndaj klimës dhe fuqisë blerëse”.

Ky vendim i nxit njerëzit që të mos udhëtojnë me automjetet e tyre.

“Ne kemi krijuar një shoqatë për të ndihmuar kryebashkiakët e tjerë evropianë të bëjnë të njëjtën zgjedhje,” deklaroi ai.

Kujtojmë që i gjithë Luksemburgu, duke përfshirë kryeqytetin e tij me të njëjtin emër, hoqi tarifat në vitin 2020, pasi kryeqyteti i Estonisë Talini prezantoi një politikë të tillë në 2013.