Rama thirrje të rinjve: Ku e gjen kohën për kafe e muhabet në Gjermani? Është lëng gështenjash (VIDEO)
Kryeministri Edi Rama, gjatë një aktiviteti për kredi të buta për disa kategori, ka deklaruar sërish se në mesin e vitit 2024, paga mesatare në vendin tonë në sektorin publik, do të shkoj 900 euro.
Ai u shpreh se për disa kategori në sektorin publik, si punonjësit e policisë, ushtarët, mjekët etj, do të ketë rritje të pagës vit pas viti.
Ai tha se mjekët që nuk duan të qëndrojnë për disa vite për të shërbyer në spitalet e vendit, atëherë do të duhet që të paguajë tarifën e plotë të studimeve.
Kreu i qeverisë ka bërë thirrje edhe një herë që të rinjtë të mos synojnë largimin drejt Gjermanisë, por të investojnë në vendin e tyre, pasi sipas tij perspektiva është shumë e lartë.
Rama: Ku e gjen në Gjermani kohën, vendin për të pirë një kafe dhe për të bërë lloj-lloj muhabetesh dhe të mbash nëpër gojë dynjanë shqip?! Ku e gjen?! Po të mos ishte një pjesë e ëmbël e jetës, nuk do ishin kafet plot… që të mos flas për ata që kafen e pëlqejnë turke. Keni parë në Gjermani si është kafja? Lëng gështenjash! Po flas për perspektivën dhe po flas me shumë besim sepse e kam të bazuar në gjerat që punojmë përditë.Viti i ri po vjen, dhe… s’keni parë gjë akoma.
