Balla: Hedhja e inerteve në shtretërit e lumenjve do të marrë fund
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka paralajmëruar se historia e hedhjes së mbetjeve apo inerteve në brigjet e lumenjve do të marrë fund.
Në një reagim në rrjetet sociale, Balla njofton rritjen e vigjilencës së Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për mbrojtjen e mjedisit.
“Policia e Shtetit dhe IKMT po rrisin çdo ditë vigjilencën dhe do të çojnë para ligjit këdo që kryen krime mjedisore. Historia e hedhjes së mbetjeve/inerteve në brigjet e lumenjve apo në vende të tjera të palejuara do të marrë fund! Përgëzoj Policinë e Shtetit Tiranë për goditjen e një krimi të rëndë mjedisor në lumin Erzen”, thekson Balla.
Më herët Policia e Tiranës njoftoi se strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1, arrestuan 1 shtetas, që u kap duke shkarkuar inerte në shtratin e lumit Erzen.
Ky shtetas është kapur në flagrancë duke hedhur në shtratin e lumit Erzen, në fshatin Stërmas, mbetje inerte që i kishte transportuar me një mjet kamionçinë, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
