Miqësi dhe biznes, Erdogan takon Orban, rikonfirmon lidhjet ekonomike me Hungarinë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vizitoi Budapestin. Elementi i parë në agjendën e tij ishte vendosja e buqetës me lule në Sheshin e Heronjve të kryeqytetit hungarez, ku ai u prit nga presidentja Katalin Noval, me të cilën zhvilloi më vonë edhe një takim kokë më kokë në pallatin Sandor.

Më pas ai takoi kryeministrin Viktor Orban, me të cilin diskutoi për çështjet e BE-së, luftën në Gaza, atë në Ukrainë dhe krizën e refugjatëve.

“Investimet turke në Hungari po rriten si për nga numri edhe nga vlera dhe sot ne e kemi shtrirë këtë proces në fusha të reja: ne kemi nënshkruar marrëveshje për hekurudhën dhe industrinë ushtarake”, tha Orban.

Presidentit Erdogan iu dha një dhuratë speciale nga kryeministri Orban, një kalë i zi 4-vjeçar nga një prej fermave më të njohura hungareze.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, presidenti turk theksoi se ishte një mik i kryeministrit Orban dhe se të dy synonin të çonin shkëmbimin tregtar në 6 miliardë dollarë, arsye për të cilën inkurajuan investimet reciproke. Anëtarësimi i Suedisë në NATO nuk u diskutua, të paktën publikisht.

Recep Tayyip Erdogan vizitoi Budapestin për herë të dytë brenda një vit. Vizita më e fundit ishte më 20 gusht, kur ai dhe Orban përgatitën takimin e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik.