“Fati” i Berishës në duart e socialistëve/ Këshilli i Mandateve vendos të hënën për kërkesën e SPAK-ut

10 anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin janë thërritur të hënën e 18 dhjetorit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut për lejimin e arrestimit të Sali Berishës.

Këshilli ka numër të barabartë të anëtarëve të mazhorancës dhe të opozitës, ndërsa do të marrin pjesë Lindita Nikolla, Arben Pëllumbi, Bledi Çuçi, Ermonela Felaj dhe Klotilda Bushka nga socialistët.

Ndërkohë që 3 fraksionet e PD-së ndajnë 5 anëtarët e tjerë.

Konkretisht, Gazmend Bardhi, Ervin Salianji dhe Saimir Korreshi janë së bashku, Greta Bardelli është nga grupimi i Rithemelimit dhe Enkelejd Alibeaj është anëtar nga grupimi i Lulzim Bashës.

“Ora News” ka tentuar që të komunikojë me të gjithë anëtarët e opozitës për t’i pyetur nëse do të marrin pjesë në të, por Enkelejd Alibeaj dhe Greta Bardeli nuk ishin të disponueshëm për një përgjigje.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi la të nënkuptohej mosprezencën e tij.

“Opozita është në aksion në parlament për të pamundësuar zhvillimin normal të punës. Nuk ka një vendim të ndryshëm të grupit deri në këtë moment dhe as një reflektim nga mazhoranca për të rikthyer normalitetin në punën e Kuvendit”, është shprehur ai.

Saimir Korreshi i tha “Ora News” se nuk do të jetë për shkak se të premten Komisioni i Etikës vendosi ndaj tij dënimin me 10 ditë për shkak të tensioneve të zhvilluara të enjten në Kuvend.

Nga ana tjetër edhe Ervin Salianji tha se ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk është lajmëruar zyrtarisht për ketë mbledhje.

Edhe Sali Berisha ndaj të cilit kërkohet masa e arrestit ende nuk e ka vendosur nëse do të marrë pjesë në mbledhjen për të dhënë argumentet e tij, por në të njëjtën orë të mbledhjes ai ka thirrur mbështetësit e tij në protestë para Kryesisë së Kuvendit.

“Fati” i Berishës në duart e socialistëve/