VIDEO+FOTO/ Qarku i Korçës në pushtetin e borës, probleme me energjinë në disa zona
Reshjet e dëborës me intensitet kanë qenë edhe gjatë natës prezente në qarkun e Korçës, ndërsa në disa zona vijon të ketë ende.
Sipas informacioneve, në Dardhë trashësia e dëborës ka shkuar deri më 40 cm, në Qafën e Qarrit 35 cm, në Voskopojë 30 cm, Gjonomadh dhe Lubonjë 50 cm në Devollin e sipër 10 cm dhe në majën e Mashkullorës rreth 1 metër.
Raportohet se ka vijuar puna gjatë gjithë natës për pastrimin e rrugëve dhe kriposje edhe sot në mëngjes borëpastrueset janë shpërndarë në terren.
Raportohet se 4 borëpastruese ndodhen në Qafën e Qarrit, 3 në Dardhë dhe 2 në Voskopojë. Në të gjitha akset dhe segmentet rekomandohen goma dimërorë dhe në disa pjesë të këtyre segmenteve këshillohen drejtuesit e mjeteve të kenë me vete dhe zinxhirët.
Po ashtu raportohet se ka probleme me energjinë elektrike në 3 bashki të qarkut, në Ersekë, Devoll dhe Maliq.
Mësohet se në Potgozhan 200 familje janë pa energji elektrike, në Gjyrës Bradvice 24 familje, në Prenisht dhe Vithkuq 124 familje, në Rehove 57 familje. Po ashtu pa energji elektrike janë 61 familje në Gjionç Prodan, ndërkohë grupet e punës ndodhen në terren.

Njoftimi zyrtar i Autoritetit Rrugor Shqiptar
Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje dëbore në akset Bilisht-Kapshticë, Qafë Qarri-Ersekë, në Dardhë, në Voskopojë, Zëmblak-Dogana Goricë, Pukë-Fushë Arrëz, Qafë Mali-Kukës dhe në Valbonë
Temperaturat kanë qenë në vlera negative deri në -3 °C
Mjetet borëpastruese kanë punuar për pastrimin e borës dhe shpërndarjen e kripës pa ndërprerje
Qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset nacionale
Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet e mësipërme që janë me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore



