Miratohet pr/ligji: Shqipëria në Unionin për Konservimin e Natyrës

Në drejtimin e kryetares, Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi shqyrtoi projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Unionin për Konservimin e Natyrës (IUCN)”.

Projektligji u prezantua nga Almira Xhembulla, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, e cila sqaroi përmbajtjen e projektligjit dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së vendit tonë në Unionin për Konservimin e Natyrës.

Gjatë parashtrimit, Xhembulla nënvizoi se, bashkëpunimi me IUCN, një shoqatë ndërkombëtare me anëtarë qeveritarë dhe joqeveritarë në të cilin aderojnë 170 shtete, do të shërbejë për bashkëpunimin me ekspertë të fushës nga e gjithë bota të specializuar në fushën e ruajtjes së diversitetit të natyrës dhe gjetjes së masavetë nevojshme për ta mbrojtur atë.

Xhembulla sqaroi më tej se, bashkëpunimi me ekspertë të kësaj organizate ka nisur që me shpalljen si park kombëtar të Luginës së Vjosës dhe po vijon edhe me hartimin e planit të menaxhimit të këtij parku.

Më tej Xhembula përmendi disa përparësi nga aderimi në këtë organizatë, pasi IUCN përmes statusit të saj si agjenci zbatuese për Fondin Global të Mjedisit i është besuar të mobilizojë burime të rëndësishme financimi dhe të përdorë rrjetin e saj global të anëtarëve dhe ekspertëve për ta vënë këtë financim në efektivitetin më të madh, si dhe është një entitet i akredituar i Fondit të Gjelbër Klimatik.

“Projektet e IUCN-së ofrojnë zgjidhje të bazuara në natyrë si një mënyrë për të adresuar dhe zgjidhur çështjet e ndryshimeve klimatike, me fokus të veçantë në përshtatjen dhe zbutjen e bazuar në ekosistemin nëpërmjet ndërhyrjeve në sektorë si ai i pyjeve, në zonat e mbrojtura bregdetare dhe detarë, në menaxhimin dhe restaurimin e ekosistemeve tokësore dhe duke integruar gjithashtu edhe perspektivë gjinore të bazuar në ekspertizën e IUCN-së”, u shpreh Xhembulla.

Relatori i çështjes Klevis Xhoxhi vlerësoi rëndësinë e projektligjit dhe aderimit në të Union për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit dhe duke nënvizuar se nisma është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin ndërkombëtarë dhe atë për mbrojtjen e mjedisit ftoi kolegët ta miratojnë.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.