Mashtrimet me markat/ Gati ligji: S’do të lejohet vjedhja e të dhënave në treg. Po përfitohet nga markat me reputacion

Në tregun shqiptar disa kompani janë duke përfituar nga market që kanë reputacion qoftë brenda vendit dhe ato ndërkombëtare. Për këtë qëllim është kërkuar miratimi i një ligji të detajuar që ndalon vjedhjen e markave, duke detyruar edhe dëmshpërblimin e dëmit ndaj brendeve të cënuara

Qeveria shqiptare parashikon të miratojë një ligj ku synohet të bëhet transparencë më markat e prodhimeve.

Në nismën e paraqitur për konsultim puvlik kërkohet të ndalohet mashtrimi përmes ndryshimeve të padukshme të logove të kompanive të mëdha, apo të suksesshme.

Në draftin me 142 nene parashikohet shkatërrimi i të gjithë produktit kur konstatohet përfitimi i pandershëm nga e drejta e subjekteve origjinale, por dhe dëmshpërblim i dëmit të shkaktuar ndaj kompanisë që ka prodhimin e drejtë.

Shkak për nismën është bërë jo vetëm kërkesa për përafrimin e legjislacionit me bashkimin evropian, por edhe me konfliktet në rritje mes kompanive që kanë regjistruar të dhënat më parë.

“Aktualisht, tregu në Shqipëri po ndeshet çdo ditë e më shumë me konflikte midis markave të regjistruara më parë dhe që kanë një reputacion dhe emër të mirë në treg dhe përpjekjeve të personave të ndryshëm për të përdorur marka identike ose të ngjashme me markat e regjistruara më parë, me qëllim që të përfitojnë në kurriz të njohjes që markat e mëparshme kanë në publik dhe në treg, për shkak të cilësisë së mirë, reklamimit dhe promovimit të vazhdueshëm që pronarët e tyre bëjnë për to”, thuhet në nismën e qeverisë.

Nga ana tjetër, ndalimi i përfitimit duke vendosur emra të përafërt, apo me ndryshime të padukshme, synon të mbrojë edhe konsumatorët prej mashtrimeve.

Gjithashtu, në projekt parashikohet njohja e regjistrimit në territorin shqiptar, por edhe në institucionet ndërkombëtare.