Nafta pa akcizë, MBZHR thotë se fermerët duhet ta tërheqin deri në fund të dhjetorit
Të gjithë fermerët që kanë aplikuar për të përfituar naftën pa akcizë do të marrin sasinë në bazë të sipërfaqeve që zotërojnë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se deri në fund të muajit dhjetor fermerët duhet ta tërheqin sasinë e naftës.
Këtu përfshihen fermerët potencialë që nuk e kanë tërhequr të gjithë sasinë për të cilën kanë aplikuar.
Sipas MBZHR-së, sapo të njoftohen fermerët duhet të vijnë të marrin naftën në drejtoritë rajonale bujqësore përkatëse të zonës së tyre.
Ndërkohë në të gjitha drejtoritë rajonale bujqësore vijon shpërndarja e kartave të naftës pa taksa për fermerët nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2023.
Deri tani janë 33,462 fermerë përfitues, të cilët janë pajisur me kartën e naftës për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.
Nëpërmjet kësaj mase, e cila ka për qëllim uljen e kostove, fermerët përfitojnë mesatarisht 70-100 litra naftë falas për çdo hektar tokë të mbjellë, në varësi të kulturave bujqësore.
Sipas AZHBR-së, interesi i fermerëve për të përfituar nga Skema Kombëtare është tejet i lartë dhe kjo falë mbështetjes financiare për këtë sektor, që ka qenë çdo vit në dispozicion të tyre.
Sasia e naftës së përcaktuar mund të tërhiqet deri në datën 31 dhjetor 2023.


