"Kundra s'ka, miratohet" Komisioni i Ekonomisë vetëm me socialistë miraton nen për nen projektbuxhetin 2024

Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi një sërë ndryshimesh në projektbuxhetin për vitin 2024. Propozimet u miratuan vetëm me votat e mazhorancës dhe do të shkojnë për miratim në seancën plenare ku do të diskutohet nën për nen projektbuxheti.

Komisioni ka miratuar rritje fondesh për organet e drejtësisë si dhe janë bërë ndryshime në buxhetet e parashikuara të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe asaj të Turizmit dhe Mjedisit.

Njëkohësisht Komisioni rrëzoi një sërë amendamentesh të propozuara nga Partia Demokratike, të tilla si dyfishimi i fondeve për indeksimin e pensioneve si dhe bonusin e fundvitit.

Në total, Komisioni do të propozojë Kuvendit shtimin e fondeve në masën 1.1 miliardë lekë, si dhe shtimin me 63 të numrit të punonjësve, kryesisht në organet e drejtësisë dhe në Kuvend.

Konkretisht KLGJ –së do ti shtohet një fond prej 133 milionë lekësh, Gjykatës së Apelit i shtohen 105 milionë lekë, KLP-së i shtohen 5 milionë lekë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë i shtohet fondi prej 21.5 milionë lekësh, Gjykatës Kushtetuese i shtohet fondi prej 35 milionë lekësh, Prokurorisë së Përgjithshme i shtohen 50 milionë lekë, SPAK merr një fond shtesë prej 320 milionë lekësh, KPA-së i shtohen 5 milionë lekë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit merr në fond shtesë prej 2.4 milionë lekësh.

Komisionerit Publik i shtohen fondet në masën 1.5 milionë lekë, Kuvendit i shtohen shpenzimet me 130 milionë lekë, Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës i shtohen 20 punonjës dhe buxheti i rritet me 100 milionë lekë, AKSHI do të ketë një shtesë prej 12 punonjësish, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike do të ketë një rritje fondi prej 320 milionë lekësh për të rritur sigurinë kibernetike.

ILDKPKI do të ketë 48 milionë lekë më tepër, Komisioneri për të Drejtat e Informimit përfiton rritje fondi prej 24 milionë lekësh, Instituti i Studimit dhe Pasojave të Komunizmit i miratohet kërkesa për rritje fondi prej 3 milionë lekë, Autoriteti për të Drejtën e Informimit në ish-sigurimin e shtetit do të ketë një rritje fondi prej 13.8 milionë lekë, Komisionit të Prokurimit Publik i shtohet buxheti me 15 milionë lekë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve i shtohet buxheti me 100 milionë lekë për uniformat dhe ushqimet për të burgosurit e paraburgosurit.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete bëri të ditur se një pjesë e kërkesave të institucioneve për rritje buxheti janë akomoduar përmes aktit normativ të fundit p♪7r rishikimin e buxhetit të këtij viti.