Festat e fundvitit, Rama: Brenda disa ditësh do të fillojë shpërndarja e bonusit për pensionistët
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shpërndarja e bonusit për pensionet këtë muaj do të shpërndahet pas disa ditësh.
Nga Asambleja e Përgjithshme e PS-së në Vlorë, Rama ka deklaruar se vitin e ardhshëm do të kemi 250 mln euro për pensionistët. Po ashtu Rama ka shtuar se nga mesi i vitit të ardhshëm do të jetë paga mesatare 900 euro.
"Pagat vitin e ardhshëm do të kenë një rritje të re domethënëse, për të cilat ne kemi vendosur 400 milion euro në buxhet. Kjo do të bëjë që paga mesatare në mesin e vitit të ardhshëm do të jetë 900 euro dhe një pagë mesatare 900 euro në sektorin publik, deri pak vite më parë do të dukej diçka për konsum elektoral, fakti që mund ta mbërrijmë pak më shpejt se parashikimi është një tjetër fakt domethënës për situatën e përmirësuar ekonomike. Një pagë e tillë në sektorin publik do të sjellë një tjetër rritje pagash edhe në sektorin privat. Në sektorë të caktuar, si ne turizëm, pagat do të pësojnë një rritje edhe më të madhe edhe si rrjedhojë e nevojës në rritje për të pasur krahë pune.
Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi vendosur 250 milion euro të tjera për pensionistët. Do të donim që kjo shumë të ishte edhe më e madhe, por ne ndërkohë kemi më shumë se asnjëherë më parë dhe asnjëherë nuk duhet harruar që e para numri i pensionistëve është shumë i lartë dhe e dyta gropa e madhe ndër dekada krijuar nga mospagimi i sigurimeve shoqërore është një gropë ende e pambyllur. Në buxhetin e vitit 2024, 33% e të gjithës shkon për përkujdesin social, përfshirë edhe pensionistët. Ndryshe nga vitet e tjera, pikërisht se kemi një situatë financiare më të mirë, do të fillojmë ta japim menjëherë, brenda disa ditësh do të nisë shpërndarje e bonuseve. Për herë të parë vitin e ardhshëm do të kemi 2% të buxhetit për mbrojtjen," tha Rama.
