Basha: Me riorganzimin e PD, të rinjve do tu besohet një rol i veçantë
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka zhvilluar të dielën një bashkëbisedim me qytetarë, ku theksoi se me riorganizimin e PD, të rinjve do tu besohet një rol i veçantë
Për kryetarin e PD, kjo situatë lidhet me faktin se disa politikanë e kanë kthyer pushtetin si pronë të tyre, duke mos u dhënë mundësi të rinjve të marrin në dore fatet e tyre.
“Në riorganizimin e PD, të rinjve do tu besohet një rol i veçantë, duke u besuar atyre poste drejtuese në çdo nivel drejtimi”, – deklaroi Basha.
“Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për tu zhvilluar dhe për tu mundësuar të rinjve të ndërtojnë jetën e tyre këtu. Me energjinë, punën dhe angazhimin e të rinjve, Shqipëria do të bëhet. Detyra jonë është tua japim besimin, që të rinjtë të vendosin për të ardhmen e tyre. PD është një parti që lindi nga të rinjtë dhe do të bëhet një parti ku mishërohen ëndrrat dhe shpresat e të rinjve”, tha kryetari i PD gjatë bisedës me të rinjtë vlonjate.
“Një vend nuk mund të ketë një korrupsion kaq të përhapur, pa politikanë të korruptuar. Prandaj është koha që, ashtu siç bëmë me dekriminalizimin, të hedhim një hap tjetër shumë të rëndësishëm për pastrimin e politikës, me vetting-un politik.
Me listat e hapura, ne do tu japim mundësinë qytetarëve të zgjedhin drejtpërdrejtë deputetin që duan dhe duke rikrijuar lidhjen ndërmjet votuesit dhe deputetit, të cilat u shkëputën nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008″, tha Basha.
“Përmes propozimit Shqipëria 1 zonë zgjedhore, krijohet barazia e votës së qytetarëve duke eliminuar diferencat ndërmjet qyteteve të ndryshme. Kështu vota do të ketë të njëjtën vlerë, si për qytetarin e Kukësit dhe të Fierit, të Tiranës dhe të Vlorës. Me propozimin për votën e diasporës, u kthejmë, pa asnjë kufizim, shtetasve shqiptarë me qëndrim të përhershëm, apo të përkohshëm jashtë Shqipërisë, të drejtën e tyre kushtetuese të zgjedhjes së përfaqësuesve në Kuvend”, – theksoi Basha.
Kryetari i PD, Lulzim Basha, më tej vizitoi familjen e Maliq Koshenës një nga pjesëmarrësit më aktiv në Luftën e Dukatit, 80 vjet më parë.
Me 1 dhjetor 1943, komunistët sulmuar Dukatin. Luftimet vijuan për afro 24 orë e lanë pas shumë viktima. Prej asaj ngjarje, që sot njihet si Lufta e Dukatit, Maliq Koshena u arrestua më 28 janar 1945 nga forcat e regjimit komunist dhe u dënua me 20 vjet burg. Më 25 nëntor 1949, u dënua me pushkatim.
Eshtrat nuk dihet ku i ka, ndërsa familja vuajti persekutimin e egër komunist.
Në bashkëbisedim me familjarët e Maliq Koshenës, Basha nënvizoi domosdoshmërinë e krijimit të instrumenteve dhe fondeve të posaçme për gjetjen e trupave të njerëzve të pushkatuar, që regjimi ogurzi komunist i la pa varre.
“Historia jonë meriton të njihet dhe ata që kanë vuajtur torturat çnjerëzorë meritojnë çdo kontribut për të pasur një shoqëri të vetëdijshme si parakusht për suksesin dhe mos përsëritjen e së kaluarës. Ne duhet të dënojmë të gjitha simbolet e komunizmit në Shqipëri dhe të fusim në sistemin arsimor edukim të veçantë për këtë periudhë të errët të historisë tonë. Harresa nuk mund të jetë rruga se si ne do të ndërtojmë një vend më të mirë, aq më pak deformimi i të shkuarës por kujtesa e asaj çfarë ka ndodhur. Por ne jemi borxhlinj ndaj atyre që luftuan dhe sakrifikuan gjithçka për lirinë edhe në ditët më të errëta të kombit tonë”, – theksoi Basha.
