Berisha në Elbasan: Beteja në parlament është betejë për jetën ose vdekjen e pluralizmit dhe demokracisë
Ish-kryeministri Sali Berisha vijoi turin e tij të takimeve pasditen e kësaj të enjteje në Elbasan, ku foli për aksionin e opozitës.
Në këtë kuadër ai u shpreh se beteja e opozitës që po zhvillohet në parlament është betejë për jetën ose vdekjen e pluralizmit dhe demokracisë.
“Të dashur demokrate dhe demokratë, qytetare dhe qytetarë të Elbasanit, në këtë sallë dhe kudo që ndodheni sonte.
Përshëndetjet e mia më të përzemërta, falënderimin më të sinqertë për praninë tuaj në këtë takim, në një moment ndër më kritikët të të gjithë historisë tonë pluraliste 32 vjeçare.
Unë vij sot tek ju me thirrjen e zemrës për çdo të ri dhe të re, për çdo qytetare dhe qytetar, demokrat dhe demokrate. Në situatën e krijuar, demokracia në Shqipëri është në klithmat e saj, është në agresionin më të rëndë në 32 vite.
Demokracinë në Shqipëri, kërkon me çdo kusht dhe çmim, ta zhdukë një njeri që do të ketë në duart e tij të gjitha pushtetet.
Pas 32 vitesh, vështirësish, suksesesh, mossuksesesh, Edi Rama ka zgjedhur ti japë goditjen më të rëndë në historinë e demokracisë, ka zgjedhur të asgjësojë pluralizmin politik në parlamentin shqiptar. Ka zgjedhur të ju mohojë përfaqësuesve tuaj në parlament, ato të drejtat që ju jep kushtetuta pa të cilat ata nuk përfaqësojnë asgjë tjetër përveç vetes së tyre.
Pa ato të drejtat ata nuk përfaqësojnë djem e vajza, burra e gra të opozitës të cilët në kushtet më të vështira me guxim i qëndruan besnik idealeve të tyre demokratike dhe votuan kundër qeverisë.
Pas kësaj, kjo e keqe e madhe e paparë ndonjëherë që nga Enver Hoxha në historinë tonë, kërkon që ata të cilët ju me ata vota sollët në parlament, ata ti ekzekutojë politikisht, ti shndërrojë në një falsitet, në një fasadë të tij dhe jo në përfaqësues tuaj.
Në këtë aspekt beteja në parlament është betejë për jetën ose vdekjen e pluralizmit dhe demokracisë”, theksoi ish-kryeministri.

Berisha u shpreh se Rama nuk lejon komisione hetimore sepse thjeshtra e tij fiton tendera çdo javë.
“Nuk ka ndodhur kurrë, është jashtë çdo imagjinate që qeveria të mos lejojë komisionet hetimore parlamentare. Çfarë janë ato miqtë e mi, pse janë ato në Kushtetutë. Ato janë për ju. Kushtetuta i ka ndarë pushtetet. Atij që ka më shumë deputetë në parlament i ka dhënë pushtete kryesore, por edhe asaj që quhet pakicë i ka lënë një pushtet, një veto.
Ky pushtet dhe kjo veto është e drejta kushtetuese e tij për të hetuar qeverinë, në emër tuaj.
Edi Rama shkel mbi ketë të drejtë 8 herë me radhë, sikur 43 përfaqësues tuaj në parlament nuk janë deputet, por janë figurina pa asnjë vlerë aty.
43 deputetë firmosën që në Komisionin e Reformës Zgjedhore, bashkëkryetari të jetë një njeri i respektuar, me njohuritë ndër më të thella në të drejtën zgjedhore.
Edi Rama thotë jo, nuk e pranoj. Nuk ka rëndë se ju jeni 43 deputetë, do të ua caktoj unë se kush do të jetë bashkëkryetar në Komisionin zgjedhor.
A mund të tolerohet kjo. Çfarë jemi ne nëse pranojmë, që përfaqësuesin tuaj, tonin, ta emërojë Edi Rama. Nuk e bëri Ramiz Aliaj këtë, secili caktonte përfaqësuesin e vet.
Por ky nuk njeh asnjë normë, kufij.
Po pse nuk lejon komisionin hetimor parlamentare, sepse vjedh bashkë me familjen e tij, ditë e natë. Po e them këtu për deklaratë politike? Jo, absolutisht jo.
Që një zyrtar të mos vjedhë, të mos abuzojë, duhet të respektojë kushtetutën, ligjet. Kushtetuta e ndalon, fëmijët e kryeministrit, bashkëshorten dhe prindërtit, e ndalon në mënyrë kategorike që të përfitojë qoftë një qindarkë përveç rrogës së tyre, nga fondet publike, qendrore apo lokale.
Cili është standardi i familjes së Edi Ramës?
Thjeshtra, vajza e familjes e papërmbajtur fiton tendera çdo javë. Atëherë si mund të ju përfaqësojmë ju ne, nëse nuk marrim të gjithë dokumentacionin dhe të themi se kjo tenderat po i fiton për pushtetin e thjeshtrit.
Kushtetuta thotë se, deputeti, kryeministri po e po, deputeti nuk mund të ketë asnjë lloj financimi nga sektori publik qendror apo lokal, nga familja e tij. Dhe ky sna lejon ne.
Ky është sulltan, është kërcënim, rrezik.
Po mirë, çfarë morali kemi ne, nëse themi se po krijojmë një komision hetimor parlamentar dhe po hetojmë kryetarin e Bashkisë së Librazhdit. Ai hajdut është, por hajdut si Rama nuk ka Shqipëria.
Nëse ne shkojmë diku tjetër dhe nuk hetojmë atë që është kreu i sistemit të korrupsionit ne nuk bëjmë detyrën para jush, ne nënshtrohemi. Por ne nuk e bëjmë kurrë atë. Edi Rama i ka bërë hesapet gabim”, tha Berisha.




