Diabeti, mjekja e “Spitalit Amerikan 2” apel për kontrolle periodike: 1 në 2 persona që janë diabetik, s’e dinë që e kanë

Diabeti po kthehet në një nga sëmundjet më të shpeshta në të gjithë botën, ku shënohen rreth 540 milionë të prekur.

Në Ditën Botërore të Diabetit, Mjekja endokrinologe e Spitalit Amerikan 2, Entela Puca, bën thirrje për kontrolle periodike, pasi sipas saj, 50 % e të prekurve nuk e dinë që vuajnë nga diabeti.

Entela Puca: “Kontrolloni dhe ju riskun. Tani në përditshmërinë tonë e bëjmë këtë punë. Por mund të themi që një në dy persona që e kanë diabetin nuk e dinë që e kanë. Dhe kjo është rreth 50 për qind që e kanë diabetin por ata nuk e dinë që e kanë”.

Ajo tregon edhe shenjat e para që kanë të prekurit nga diabeti.

Entela Puca: “Më klasiket janë pikërishtë tharja e gojës, pirja e ujit, urinimi i shprehur dhe ndryshimi i peshës".

Mjekja endokrinologe vë theksin te parandalimi i kësaj sëmundjeje.

Entela Puca: “Të fillojmë dhe të ndryshojmë mënyrën e të ushqyerit, të shtojë aktivitetin fizik, pra të adaptojë modele të shëndetshme për stilin e jetesës së tij, ai mund ta parandalojë diabetin, ose të paktën ta shtyjë në vite”  

Diabeti shkakton probleme edhe në organe të tjera të trupit, për këtë arsye Mjekja endokrinologe e Spitalit Amerikan 2, Entela Puca, rekomandon që të mbahet një ekuilibër sa më të mirë të sheqerit, por edhe një stil jetese sa më të shëndetshëm, për të evituar problemet me yndyrnat, hipertensionit dhe veshkës.