Kurti: Njohja ‘de facto’, hap i parë drejt normalizimit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës ditën e sotme ka folur edhe për dialogun me Serbinë.
“Sot nuk jemi në atë marrëdhënie të mirë edhe pse ky vit ka filluar mjaft mirë. Më 27 shkurt, në Bruksel, ne kemi arritur Marrëveshjen bazike për njohjen ‘de facto’, bazuar në modelin e dy Gjermanive të vitit 1972. Për këtë jemi pajtuar me Serbinë. Ne kemi shtuar Aneksin në Ohër, por atëherë Serbia refuzoi ta nënshkruaj atë”, tha ai.
Ai tha se duhet të ketë presion ndaj Beogradit për të nënshkruar Marrëveshjen, për të cilën janë pajtuar dy vendet.
“Nënshkrimi i njohjes ‘de facto’ i dyanshëm është hapi i parë dhe i rëndësishëm drejt normalizimit”, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për tensionet në veri të vendit, ku nga sulmi terrorist më 24 shtator u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
“Eskalimi ka ndodhur sepse përkundër marrëveshjeve verbale ose gojore në një tekst të plotë, nuk ishte nënshkruar, madje as në margjinat e Samitit të Këshillit Europian më 26 tetor”, tha Kurti.
Sipas tij Serbia refuzoi ta nënshkruajë dhe tha se e pranon marrëveshjen vetëm në koncept, por jo edhe në përmbajtje. Ai përmendi sulmet ndaj KFOR-it, ndaj gazetarëve, si dhe rrëmbimin e policëve.
