S'ka fitues në kryeqytet, Lazio dhe Roma luajtën për të evituar humbjen

Derbi i kryeqytetit italian përfundoi me barazim 0-0. Pritshmëritë ishin të mëdha në sfidën për “Capitolin”. Kjo edhe nga fërkimet në distancë ditët e fundit mes dy trajnerëve, Sarri dhe Mourinho.

Megjithatë ekipet u dukën të lodhura në fushën e lojës, për shkak edhe të angazhimeve në ndeshjet europiane. Vetëm 3 gjuajtje në portë gjatë gjithë takimit, 2 për Lazion dhe 1 për Romën. Immobile, Lukaku apo Dybala nuk arritën të ishin asnjëherë kërcënues për gol. Ng ana tjetër dhe dy portierët, Provedel dhe Rui Patricio ishin të pashqetësuar.

Duket sikur skuadrat u ruajtën më tepër për të mos pësuar gol dhe për të mos humbur. Megjithatë barazimi nuk kënaq asnjë prej skuadrave, pasi mbeten larg katërshes së Champions League, madje dhe jashtë zonës së Europa League dhe Conference League.

Roma është e shtata me 18 pikë, ndërsa Lazio në vendin e dhjetë me 17 pikë.