Plasin debatet gjatë spektaklit, Arnita Beqiraj: E bëjnë për të qenë 5 minuta më shumë…
Të ftuar në studion e emisionit "Live From Tirana”, kanë qenë Arnita Beqiraj dhe partneri i saj në skenë, Eni Balla. Ata konsiderohen si një ndër çiftet më të forta në "DWTS" këtë edicion të dytë.
Dyshja kanë folur më shumë mbi eksperiencën e tyre deri tani dhe mendimin që kanë për secilin nga konkurrentët e tjerë.
Gjatë mbrëmjeve live të spektaklit kemi parë mjaft debate mes konkurrentëve me njëri-tjetrin, apo edhe me jurinë. Por Arnita dhe Eni ndryshe nga të tjerët, kanë zgjedhur që të jenë më të qetë dhe larg debateve apo konflikteve.
Lidhur me këtë, Arnita shpjegon:
"Në garën mes skuadrave, ishim të përgatitur edhe për humbjen. Unë nuk e besoja se do të humbnim, por gjithsesi ishim të përgatitur. Unë mendoj se programet janë krijuar për të argëtuar të tjerët. Njerëzit argëtohen kur edhe ata që po e bëjnë atë program argëtohen. Nuk kam qejf që pasi kam parë një kërcim shumë të bukur, të dëgjoj pastaj 2 orë sherr. Në momentin që njerëzit fillojnë e merren shumë me debate, harrohet ajo që ata kanë sjellë në skenë."
E pyetur pse nuk i bënë të tilla diskutime Arnita u përgjigj se nuk futet në një betejë të humbur.
"Unë nuk i futem një beteje të humbur. Unë nuk do të qaj mbi qumështin e derdhur. Nëse qëllimi është për të qëndruar 5 minuta më shumë në transmetim live, ky është një tjetër diskutim. Disa zgjedhin ta bëjnë këtë me sherr, disa me ekzibicionizma, dikush mund të thotë se është sëmurë. Këto janë zgjedhje që njerëzit sajojnë për të qëndruar më gjatë.
Unë jam njeri që i them gjërat në mënyrën time. Kam thënë gjëra që për mua janë të forta, por dhe të vërteta për standardet e mia. Unë nuk jam person që nuk i jap zë të drejtës sime, është krejt e kundërta. Unë e rithem që profesionistët i dallojnë limitet. E dinë se ku fillon puna e vet dhe ku mbaron ajo", u përgjigj Arnita.

