Derbi i Londrës “zjarr” në pjesën e parë, karton i kuq dhe gola të anuluar, spektakël i Tottenham dhe Chelsea

Tottenham po barazon 1-1 me Chelsean në derbin e Londrës. Ndeshja u zhbllokua shumë shpejt, që në minutën e gjashtë. Kulusevski shfrytëzoi në maksimum një asist të Sarr, për të dërguar topin pas shpinës së portierit Sanchez.

Ekipi i Spurs dyfishoi shifrat në minutën e 14-të, por festa nuk zgjati shumë, pasi goli i Son u anulua për pozicion të parregullt.

Në minutën e 21-të, sërish gol i anuluar, por këtë herë për skuadrën e anës tjetër të Londrës.

Sterling “tundi rrjetën”, por qartësisht u vu re prekje me dorë e anglezit, ndaj nuk mund të konsiderohej i rregullt.

Djemtë e Pochettinos realizuan sërish, por përsëri kishte vend për ndërhyrje. Goli i Caicedos nuk vlejti për shkak se u cilësua si Offside.

Tottenham katranosi gjithçka në minutën e 33-të, kur Romero u ndëshkua me karton të kuq, për t’i dhënë mundësinë Palmer për të vendosur ekuilibrat nga pika e bardhë e penalltisë.