Maqedoni e Veriut, rritet çmimi për ngrohjen me gaz

Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbimet e Ujit (KRRE) miratoi vendimin me të cilin çmimi i ngrohjes qendrore rritet 4,51 për qind.

Sipas paralajmërimeve të KRRE-së, nuk pritet të këtë korigjim të çmimit deri në fund të sezonit ngrohës pavarësisht paralajmërimit të vendosjes së një takse prej 10 eurosh nga Bullgaria për transportin e një megavati/orë gaz natyror rus përmes gazsjellësit bullgar.

“Korigjim të çmimit deri në fund të sezonit të ngrohjes nuk do të ketë, pavarësisht nga taksa për gazin rus. Në tenderin e fundit për blerjen e gazit natyror çmimi është i zakonshëm dhe është diku në kuadër të bursës në Holandë, bursës më të madhe në Evropë. Nuk e dimë nëse në atë çmim përfshihen kosto shtesë apo jo, por çmimi është brenda intervalit të çmimeve të bursave evropiane. Besoj se në periudhën e ardhshme do të merren të gjitha masat, sepse Maqedonia e Veriut nuk duhet të preket në asnjë mënyrë nga vendosja e kësaj takse”, tha kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi paralajmëroi se do të kërkojnë kompensim nga Bullgaria dhe mbështetje shtesë nga Bashkimi Evropian për vendosjen e taksës nëse nuk lirohen kapacitetet e gazsjellësit përmes të cilit furnizohemi me gaz nga Bullgaria, sepse është Bullgaria ajo që deri në vitin 2030 ia ka lëshuar të gjitha kapacitetet këtij gazsjellësi te ”Gazprom”-i rus.

”Kapacitetet e gazsjellësit nuk janë dhënë me qira nga ‘Gazprom’-i në territorin tonë, por në territorin e Bullgarisë, i cili njëkohësisht është edhe territor i BE-së”, theksoi ai.

“Prandaj, nëse nuk lirohen kapacitetet, do të kërkojmë dëmshpërblim nga Bullgaria dhe mbështetje shtesë nga Bashkimi Evropian për vendosjen e taksës”, tha Bekteshi.

Rreth 64 000 shtëpi në Shkup furnizohen me energji termike përmes sistemit të ngrohjes qendrore që funksionon me gaz natyror.