Të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë, Apeli lë në burg tre serbët e arrestuar

Dushan Maksimoviç, Vladimir Toliç dhe Blagoje Spasojeviç janë tre serbët e arrestuar pas sulmit të 24 Shtatorit në Banjskë, për të cilët Gjykata e Apelit vendosi pro vendimit të Gjykatës Themelore për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj.

Kujtojmë se më 20 tetor të këtij viti Gjykata e shkallës së parë kishte marrë aktvendimin për vazhdimin e paraburgimit.

Lidhur me këtë vendim mbrojtja e të dyshuarve kishte parashtruar ankesë në shkallë të dytë, por që Apeli dje i ka refuzuar këto ankesa dhe ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore.

Sipas arsyetimit të gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë e ka arsyetuar drejtë se janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Ata u arrestuan si të dyshuar për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Ata dyshohen për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës si dhe për vepra terroriste.